Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, ka vizituar në Hagë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, në ditën që shënon 30-vjetorin e themelimit zyrtar të UÇK-së.
Krasniqi tha se fati e deshi që pikërisht sot, në këtë përvjetor historik, “të jemi pranë dy simboleve të ndritura të luftës sonë për liri dhe pavarësi”.
“Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, përkrah shumë patriotëve të tjerë, kanë sakrifikuar gjithçka për të bërë të mundur që Kosova të marrë frymë lirie,” ka shkruar Krasniqi.
“Këta udhëheqës, krahas patriotëve të panumërt, sakrifikuan gjithçka që Kosova të merrte frymë lirie. Me të njëjtin zjarr në shpirt, ata sot qëndrojnë të palëkundur duke mbajtur peshën e historisë dhe shpresat e shtetit tonë. Duke mbrojtur luftën e popullit tonë për liri”.
“Forca dhe dinjiteti i tyre përballë vështirësive janë dëshmi e vlerave për të cilat kemi luftuar si popull dhe qëndrueshmëria e tyre në Hagë na frymëzon të gjithëve që të vazhdojmë përpara misionin e tyre: të ndërtojmë një Kosovë më të fortë, më të zhvilluar dhe më të mirë”, shkruan tutje ai.
“Në këtë ditë të veçantë, kur kujtojmë UÇK-në dhe të gjithë ata që bënë sakrificat më të mëdha për lirinë tonë, qëndrojmë pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe çdo patrioti që barti flakën e luftës çlirimtare”, përfundon shkrimi i tij.