
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka komentuar propozimin e Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Krasniqi në emisionin ‘Rubikon’ të Klan Kosovës është shprehur i habitur se si Lëvizja Vetëvendosje ka përfunduar nga fryma e filozofit gjerman, Hegel, tek Dimal Basha, shkruan Insajderi.
“Ne besojmë që edhe brenda grupit të tyre mund të ketë një figurë që tek e fundit mundet me qenë në krye të atij kuvendi me më pak toksicitet, por ne ua votojmë këdo. Unë as sot s’e kam të qartë se si ka mbërrirë Lëvizja Vetëvendosje nga Hegeli te Dimali, por ky është problem moral i tyre“, deklaroi Krasniqi.
“Ndoshta tendenca ka qenë që ta nxjerrin një kandidat që ka qenë polarizues, që ka qenë jashtëzakonisht i zëshëm dhe pa i zgjedhë fjalët kundër PDK-së e të tjerëve. Gjithmonë i kemi zgjedhë në Kuvendin e Kosovës figura përfaqësuese. Filluan një lloj propagande, fushate linçuese qysh ne s’e majmë fjalën, por s’ishte kjo e vërteta. Mu në fakt më shqetëson fakti se ky lloj taktizimi nuk është i dobishëm për politikën, e më së paku prej qytetarët“, deklaroi më tej ai.
Krasniqi fajësoi Lëvizjen Vetëvendosje për bllokadën në Kuvend, përmes, siç u shpreh ai, kryeneçësisë së Kurtit që të jetë Albulena Haxhiu kandidatja për kryetare dhe insistimit për komision të fshehtë. /Insajderi.org/