
Në prag të seancës konstituive të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, e cila do të mbahet pas 12 ditësh, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka folur për mundësinë e formimit të qeverisë nga opozita, nëse Albin Kurti dështon të sigurojë mbështetjen e nevojshme për të krijuar Qeverinë.
Krasniqi deklaroi se nëse partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, dështon të formojë qeverinë, PDK do ta marrë përgjegjësinë dhe do të përfundojë këtë proces në një afat rekord.
Ai shtoi se për PDK-në do të mjaftojnë vetëm 48 orë për të përfunduar bisedimet dhe për të siguruar shumicën e nevojshme.
“Nëse Kurti do të dështonte, ne për 48 orë i takojmë [pakicat]. Për ne ka qenë e rëndësishme edhe para qytetarëve me tregu një shembull ndryshe prej Kurtit. Shembull të respektimit të vendit tonë, të ligjeve, të Kushtetutës sonë. Për 48 orë ne e kryejmë në momentin që Kurti dështon, për 48 orë me takime e me krejt bahen, veç ai e ka radhën,” tha Krasniqi në Rubikon, përcjell Insajderi.