
“Ne ua votojmë, por qiteni një njeri tjetër – të paktën mos të bëhet horë ky Kuvend,” ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, para seancës së sotme të Kuvendit, duke komentuar përplasjet rreth zgjedhjes së kryeparlamentarit.
Ai tha se PDK i qëndron qëndrimit të saj që nuk do të votojë asnjë kandidat që ka qenë pjesë e ekzekutivit, por kërkoi nga Lëvizja Vetëvendosje që të propozojë një emër më të denjë për këtë pozitë.
“Ne i qëndrojmë besnik qëndrimit tonë se nuk e votojmë një kandidat që ka qenë pjesë e ekzekutivit, por kërkesa për konsult si atë ditë dhe sot është për t’i thënë LVV-së: a jeni të sigurt që vërtet dëshironi ta degradoni nivelin e përfaqësimit të Kuvendit të Kosovës, duke vendosur një kandidat që, për mendimin tonë, as nuk është i duhuri dhe nuk i plotëson kriteret bazike për të qenë kryetar i Kuvendit,” tha Krasniqi, raporton Insajderi.
Megjithatë, ai shtoi se nëse Lëvizja Vetëvendosje insiston, PDK do ta japë votën edhe për Dimal Bashën, ndonëse sipas tij, ai nuk është i përshtatshëm për këtë post.
“Ne ua kishim votu edhe Dimal Bashën – ua votojmë edhe sot, por edhe ata e dinë që nuk duhet me qenë ai kryetar i Kuvendit. Kam prit që kanë me thënë ‘kadal’, sepse nuk i përmbush kriteret bazike për këtë pozicion,” tha ai.
Krasniqi rikujtoi se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar.
“PDK e voton secilin që nuk ka qenë në qeveri.”