Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar ndaj Qeverisë Kurti për shpenzimin e 350 mijë eurove të taksave të qytetarëve për pjesëmarrjen në ngjarjen e Davos.
“350 mijë euro të taksave të qytetarëve të Kosovës u shpenzuan për luks dhe “tallava” në Davos, ndërkohë që Kosova nuk siguroi asnjë njohje të re dhe asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Dhe kjo ndodh pikërisht kur vendi është nën masa sanksionuese nga BE-ja!”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ajo ka theksuar se ky shpenzim ka qenë një “tallavë” pa asnjë rezultat konkret, duke shtuar se Kosova nuk ka siguruar asnjë njohje të re dhe asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Ky është shfrytëzim i turpshëm i parave publike dhe një dështim total i diplomacisë. Në vend që të punojnë për heqjen e sanksioneve dhe avancimin e interesave të shtetit, ata shpenzojnë para të taksapaguesve për shfaqje boshe, pa asnjë rezultat konkret për Kosovën”.
Krasniqi e ka cilësuar këtë si një dështim total të diplomacisë dhe një papërgjegjshmëri ndaj qytetarëve, duke kërkuar llogaridhënie dhe ndryshim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti udhëtoi të martën në Davos të Zvicrës për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror.
E pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në këtë forum, buxhetit të shtetit i ka kushtuar hiq më pak se 350 mijë euro.
Dy muaj më parë me një vendim të kryeministrit Kurti në emër të promovimit të Kosovës, u ndanë 350 mijë euro nga buxheti i shtetit pikërisht për të marrë pjesë në këtë forum apo për “organizimin e pjesëmarrjes”.
Në vendim thuhet se kjo shumë është ndarë për organizimin e pjesëmarrjes së Kosovës në forumin botëror ekonomik së bashku me ‘Kosova House’.