Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, të martën ka thënë se mbrojtja e luftës çlirimtare kërkon konsensus nacional.
Ai ka thënë se duhet të bëhet bashkimi i krahut të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, i cili tani për tani është shumë i parcializuar dhe shumë nga ata kanë humbur objektivin.
“Mbrojtja e Luftës Çlirimtare pa dyshim se kërkon një konsensus nacional, por kjo, si po duket, është e pamundur. Ajo që do të duhej të bëhej, duhet të jetë, bashkimi i krahut të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, i cili tani për tani është shumë i parcializuar dhe shumë nga ata kanë humbur objektivin. Ky parcializim është shkaktuar nga individë të papërgjegjshëm të cilët pas luftës e keqpërdorën skajshmërisht fuqinë e kësaj lëvizje. Se a do të kthjellej kjo kategori, unë kam pak shpresa”, ka deklaruar Krasniqi për Epokën e re.
Ai e ka quajtur të vonuar dhe joserioz miratimin e Rezolutës nga Kuvendi i Kosovës për mbrojtjen e vlerave të luftës.
Madje, sipas Krasniqit, pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe Ligjit për Gjykatën Speciale, kjo rezolutë nuk thotë asgjë.
“Pas një debati që i ngjante shumë një fushate zgjedhore, me akuza të drejtuara krejt në adresë të gabuar nga deputetët e pozitës të cilët e huqën objektivin, Kuvendi arriti ta miratojë një Rezolutë, por sa do të jetë obliguese e ndikuese për atë që u bë ajo, duhet të shohim! Si iniciativë është më shumë se e vonuar, por edhe kështu nuk ishte serioze. Unë po flas, shkurt e shqip. Kjo Rezolutë, pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese e ligjit për Gjykatën Speciale, nuk thotë asgjë! Është sikur me ‘prashitë në ujë’”, është shprehur ai.