Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se përfaqësuesit politik e fetarë në Serbi janë duke bërë thirrje për luftë në Kosovë. Këtë deklaratë Krasniqi e ka bërë pas reagimit të përfaqësuesve më të lartë të shtetit serb pas miratimit të Ligjit për Trepcën javën e kaluar.
“Një hedhje e shikimit nëpër faqet e portaleve tona, secili njeri me vëmendje të zgjuar e sheh se: Të gjitha kukuvajkat serbe që vijnë nga shekulli i kaluar, i vlerësuar si shekulli i gjenocidit serb ne hapësirat e ish Jugosllavisë, si ato të politikës, në krye me Presidentin, Kryeministrin, të Listës Serbe, te Kishës Serbe ne krye me Irinejn e medieve qeveritare, janë duke bërë thirrje për Luftë në Kosovë”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.
“Ishin po këta njerëz që në vitet e 80 e te 90 minus Millosheviqin që i zhvilluan katër luftëra, te cilat prodhuan politika të tmerrshme te gjenocidit në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë”, ka shtuar ai.
Patriarku serb, Irinej ka thënë sot se ajo çfarë po ndodhë në Kosovë është një padrejtësi e madhe e të fuqishmëve ndaj një pakice të vogël siç janë serbët.
Megjithatë përkundër këtyre ai tha se, nuk do ta lejojnë asnjëherë që Kosova të shkëputet nga Serbia.
“Kosova nuk është gjeografi. Kosova është Jerusalem. Vendi ynë i shenjtë. Gjithçka që ka të bëjë me rrënjët dhe kulturën tonë. Gjërat më të shenjta për ne janë atje”, ka shtuar Irinej. /Insajderi.com
Në këto rrethana, sipas Krasniqit, Qeveria e Kosovës duhet të ndërpresë dialogun me Serbinë.
“Për një Kuvend e Qeveri normale, bisedimet e Brukselit do të duhej të ndërpriteshin. Pasi jo vetëm që nuk i kanë “normalizuar marrëdhëniet”, por përkundrazi e kanë rikthyer ndikimin e shovinizmit të egër serb në Kosovë e ndaj Kosovës. Në një situatë të tillë, është i domosdoshëm krijimi i një konsensusi nacional, një konsensusi që i kalon kufijtë e Republikës se Kosovës”, ka thënë ai.