Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën Jakup Krasniqi, është shprehur mbi marrëdhëniet ish-bashkëpartiakëve të tij, Kadri Veseli e Hashim Thaçi, me ish-presidentin e ndjerë të Kosovës Ibrahim Rugova.
Ai akuzoi Veselin e Thaçin se vizitat tek varri i Ibrahim Rugovës i bënë vetëm për pushtetin tyre personal dhe jo se e kanë ndjerë një gjë të tillë.
“E them ketë me bindje se edhe përkuljen që e bëtë të varri i Rugovës, njëri pas tjetrit nuk ka asnjë fije sinqeriteti e pendimi, e bëni për pushtetin tuaj personal e jo pse ju han malli për të ndjerin Rugova”, ka thënë Krasniqi, raporton Insajderi.
Ai thekson dallimet e dy liderëve të dekadës së fundit të PDK-së, në raport me ish-presidentin Rugova në dy periudha të caktuara, atë të para luftës dhe të pasluftës.
“Interesi i kombit për bashkim ishte, para, gjatë e në vitet e para të pas luftës çlirimtare për të qenë bashkë, nderuar e respektuar njëri – tjetrin. Pse nuk e bëtë asnjë përpjekje të vetme për atë bashkim kur ishte domosdoshmëria, por e bëtë vetëm pas vdekjes së tij?”, shkruan ish-kryetari i Kuvendit në Facebook.
Jakup Krasniqi ishte një nga themeluesit e PDK-së, ai kishte qëndruar në PDK për rreth 15 vite derisa vendosi të bashkohej me partinë e Nismës për Kosovën. /Insajderi.com