
Azem Syla, ish-Shef i Shtabit të Përgjithshme të UÇK-së e ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës është protagonisti kryesor në rastin e njohur “Toka”. Rasti që në duart e drejtësisë është nga viti 2016, dhe vetëm tani në muajin qershor të 2022-ës, pritet gjykimi.
Në fund të muajit prillit të 2016-ës, edicionet e lajmeve të mbrëmjes do të raportonin me pompozitet për një operacion të madh të EULEX-it: mbi 50 të arrestuar e në kërkim, dhe mbi 40 vende të bastisura. I dyshuari kryesor, Azem Syla “Daja i Tokave”.
Prokuroria akuzon se Azem Syla pensionin e Zvicrës e kishte përdor për ta financuar grupin kriminal për të nisur procesin e blerjes, shitjes e edhe mashtrimit me prona që kryesisht ishin prona të serbëve.
Grupi kishte caktuar edhe një restaurant në Prishtinë që u bë si shtabi i këtij grupi, e që udhëhiqej nga ish-Shefi i Shtabit të UCK-së, Azem Syla.
Krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal. Janë këto vetëm disa akuzat e shkruara në një dokument mbi 260 faqesh që e posedon InDoks.
Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal, sipas aktit akuzues kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.
Prokuroria Speciale zbulon se Azem Syla kishte blerë një banesë në Lagjen Pejton në Kyeqytet dhe një veturë Xhip ML me paratë nga shitja e pronave të serbëve në Çagllavicë.
Paratë e fituar nga shitja e pronave të familjes Simiq ishin përdorur për të blerë atë banesë e atë veturë luksoze për atë kohë përderisa dy anëtarët e tjerë të grupit Shaban Syla e Shpresim Ukaj kishin blerë vetura të tjera, po ashtu luksoze të kahes si një BMW X5.
Në hierarki menjëherë pas Azem Sylës vinte Shaban Syla, në lidhje familjare me të parin i cili sipas Prokurorisë veproi hapur dhe personalisht, duke nënshkruar një sasi të madhe të dokumenteve, “Shaban Syla ishte sigurisht një nga arkitektët e mashtrimit, bashkë me Hajrullah Berishën”, thuhet në Aktakuzë.
Hajrullah Berisha një tjetër i akuzuar në këtë rast pretendohet se bashkëpunoi me grupin duke qenë pjesë e misionit të OKB-së UNMIK.
“Hajrullah Berisha është figurë kyçe e grupit të organizuar kriminal. Që nga viti 2006, roli i tij ishte absolutisht esencial sepse ishte i ngarkuar për hapat më të rëndësishëm dhe themelorë që i mundësuan grupit të organizuar kriminal të procedojë mashtrimet më të mëdha; falsifikimin e dokumenteve origjinale”, thuhet në aktakuzë. Hajrullah Berisha, ish i punësuar në UNMIK punonte në gjykatë dhe kishte qasje në ndërtesat e gjykatave dhe zyret publike të cilat, në atë kohë, menaxhoheshin që të gjitha nga UNMIK-u.
“Në mënyrë specifike në atë kohë Arkiva e Gjykatës ku ishin ruajtur dosjet e rasteve “Simiq”, “Steviq” dhe “Vujoviq” ishin duke u ruajtur në ndërtesën e ndërmarrjes shoqërore “Shock Absorbers” e cila ishte vendosur afër ndërtesës së UNMIK-ut” thuhet në aktakuzë.
Prokuroria pretendon se Berisha njihte mirë sistemin ligjorë dhe kishte qasje të lehtë në shabllone të dokumenteve dhe vulave. “Përveç Nuhi Ukës, ai ishte i vetmi që kishte mundësinë dhe dijeninë për t’i falsifikuar rastet, vendimet e gjykatave dhe dokumentet të cilat ishin të ruajtura në Arkivin e Gjykatës Komunale dhe Arkivin Shtetëror të Kosovës” thuhet në aktakuzë.
Njëri nga dëshmitarët kyç të prokurorisë përshkruhet në aktakuzë se e takoi Berishën në fund të vitit 2006 kur u takuan me Shaban Sylën. “Hajrullah Berisha i dha Shaban Sylës 20 mijë euro për t’ia dhënë familjes Simiq për vendimin e gjykatës”, thuhet në aktakuzë derisa për të shtohet se e vizitonte shpesh restaurantin ku koordinohej grupi i Azem Sylës në vitet 2006, 2007 dhe 2008.
Azem Syla, që njihet si “Daja”, i përmendur si lider i këtij grupi, rrallë ka folur në publik. Madje edhe kur ishte deputet i është ruajtur një fjalim i vetëm. Por, për të kanë folur shumë. E kanë akuzuar jo pakë.
Një nga të parët që e akuzoi publikisht ishte Nazim Bllaca. Ai i kishte përmendur vrasjet e krimet e tjera. Do të zhvilloheshin disa procese gjyqësore që në publik u njohën si rastet “Bllaca”, por në to Azem Syla kurrë nuk u dënua. Mbi rastet që nisi dëshmia e Bllacës janë dënuar persona të tjerë, që disa po ashtu janë në aktakuzën e rastit “Toka”.
Derisa po kryhej hetimi për rastin “Toka”, EULEX-i kishte zhvilluar edhe një procedurë hetimi të veçantë, larg syve të publikut. Aty do të fliste një dëshmitar i mbrojtur. InDoks ka siguruar dosjen e këtij hetimi dhe transkriptet e dëshmisë.
Në fakt, ky hetim i veçantë dhe dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur do të bëheshin më vonë pjesë themelore e aktakuzës.
Në këtë dëshmi, pos rastit “Toka”, një gjë tjetër bie në sy. Dëshmitari flet për para të luftës, për fondin ‘Vendlindja thërret’.
Dëshmitari i mbrojtur në këto transkripte përmend Shpresim Ukën, një bashkakuzuar me Azem Sylën. Dëshmitari deklaron që Uka ti ketë thënë që në së paku dy raste ai kishte sjellë para nga Zvicra në Kosovë dhe i dërgoi në Shtabin e Përgjithshëm. Azem Syla për një kohë ka qenë Shef i këtij Shtabi.
Në një rast ishin sjell mbi 700 mijë marka dhe në një rast tjetër mbi 160 mijë marka të tjera. Dëshmitari kishte nxjerr edhe dokumente nga faqja e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut që kishte evidentuar diçka tjetër me rastet në fjalë dhe ia kishte dhënë Prokurorit Maurizio Salustro.
Dëshmitari tutje do të tregonte se në lidhje me këto para forcat serbe do të ndalonin autobusin që me të cilat ishin nisur që të vinin këto para dhe do të i konfiskonin ato. Bashkë me paratë u ndalua edhe një i afërm i Azem Sylës e shoferi i autobusit. Dëshmitari i kishte thënë EULEX-it se i afërmi i Azem Sylës që u ndalua nga serbët, ende figuron i zhdukur derisa shoferi i autobusit ishte liruar.
Nuk dihet në publik se a është hetuar ky rast, pasi që i njëjti nuk është përmendur në aktakuzë.
Po për para të luftës, dyshime kundrejt Azem Sylës vite më parë kishte hedhur edhe një anëtarë i familjes Jashari. Rifat Jashari ka përmendur në publik shkarazi një rast, por pa e sqaruar as ai deri në fund.
“Unë sot për besë të Zotit nuk e njoh atë individ. Ai ka sjell ato (paratë), kanë shkuar këta, armët janë blerë, ardhë nuk janë, këto mund ti dije Azem Syla, Rexhep Selimi e shumë shumë të tjerë. Ti e di që kemi qenë me Azemin (Sylën) dhe e kemi bërë aty një bisedë, në dhomën time. Ai thoshte që ia ka dërguar Rexhepit (Selimit), Rexhepi thotë diçka tjetër, por më në fund ato nuk kanë ardhur. Ku janë mbetur, ku kanë shkuar, më nuk jam marrë me atë punë, se e pashë që nuk ia vlente që të hyjmë në ato gjëra, lufta përfundoi”, kishte deklaruar Jashari.
Lufta përfundoi. Azem Syla më nuk do të ndiqte karrierë ushtarake. Nuk do të bëhej pjesë e TMK-së.
Sipas aktakuzës që tashmë po sjellët nëpër gjykata, ai do të hynte në biznesin e pronave.
Kjo është zona të cilës ia kishte vënë syrin grupi i Azem Sylës, sipas Prokurorisë. Në këtë zonë janë edhe pronat për të cilët ata po gjykohen. Është zona e Çagllavicës, dikur nën komunën e Prishtinës, tash nën atë të Graçanicës. Insajderi vite më parë kishte publikuar një hulumtim që Azem Sylën e lidhte edhe me një tokë tjetër. Hulumtimi zbulonte se si Azem Syla dyshohet se e kishte kërcënuar një tjetër dëshmitar të më vonshëm të EULEX-it. që t’ia shiste tokën familjarit të tij, Hysni Syla me çmimin që donin ata. Ngjarja nuk u ndal me kaq. 200 mijë euro për këtë tokë dyshohet se janë shpërlarë nëpërmjet OJQ-së “United Foundation”.
Pas këtij hulumtimi, në hetim i Inteligjencës Financiare kishte nisur. InDoks posedon dokumentin e këtij hetimi që ka përfunduar në Prokurorinë Speciale. Në këtë hetim ishin gjetur, përmes transaksioneve lidhje financiare shkonin deri në Amerikë e nëpërmjet ndërlidhjeve shkonin deri te shtetas të Pakistanit e Bangladeshit.
Dokumenti i deponuar në Prokurori Speciale zbulon edhe shuma të tjera. Zbuluan se një shumë prej mbi 450 mijë euro nga “United Foundation” u deponuan te një person privat për t’ia blerë një pronë në Pejë, derisa donacionin e kishin marrë nga organizata “Helping Hands” për ta ndërtuar një shkolle e lokacioni i shkollës ishte në një fshat të Lipjanit.
As për këtë rast në publik nuk dihet nëse janë zhvilluar hetime të tjera nga Prokuroria Speciale ani pse Inteligjenca Financiare kishte ngritur dyshime se mund të jenë shpërlarë para.
Kur forcat serbe e lanë Kosovën në vitin 1999 morën me vete edhe dokumentet e pronave. Në Kosovën e pasluftës ishte rritur kërkesa për blerje pronash, në zonën e Çagllavicës po ashtu, për ndërtim biznesesh, por qasje në dokumente kishin pak persona. Në lojë jo rrallë hynte grupi i Azem Sylës. Akuza i rëndon edhe për falsifikim dokumentesh.
Afro gjashtë vite pas ngritjes së aktakuzës, Azem Syla një njeri i mistershëm, të cilin hetuesit e EULEX e përshkruanin si ai që e shmang edhe bisedat telefonike dhe i kryen punët në takime direkte, do të shfaqet përsëri në Gjyq. Do të paraqitet si lider i një grupi që bëri manipulime me prona në vlerë mbi 30 milionë euro.
“Daja” i UÇK-së që më vonë dyshohet se u bë edhe “Daja” i manipulimit me “Tokë” në Çagllavicë, deri tash i ka ikur intervistave në media bash për këtë rast. Ndonjëherë e ka komentuar si rast i motivuar politikisht, e, e ka akuzuar nga pak edhe Serbinë.
Deri te një vendim i Gjyqit, nëse do ta dënojë atë apo do ta falë, do të duhet të pritet edhe gjatë.
InDoks | Tokat e Dajës – Gjykimi që shpërfaq dështimet e Drejtësisë: