×
  • Lajme
  • Analiza

    Krekosej si luftëtar i mafisë së duhanit, Abazoviq shoqërohej me biznesmenin e duhanit që pati alarmuar BE-në

    Insajderi
    20 August 2022 - 15:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dritan Abazoviq, kryeministri malazez që u shkarkua mbrëmë nga Parlamenti, dikur krekosej për luftim e mafive.

    Në vitin 2021, kur mbante pozitën e zëvendëskryeministri të Malit të Zi, në një video-mesazh që u publikua me rastin e prezantimit të punëve që ishin bërë në vitin e parë të punës së Qeverisë, ai fliste konkretisht edhe për luftimin e mafisë së cigareve.

    “Shpresoj që çdo qeveri e ardhme të ketë njerëz të ndershëm. Është bërë shumë, janë sulmuar lloj-lloj mafie, me gjithë telashet, ne e kemi kryer menjëherë punën dhe jemi munduar të japim maksimumin në mënyrë që Mali i Zi të marrë një rrugë të ndershme. Të gjithë kishin frikë nga dështimi, por nuk ndodhi. Më pas kishin frikë se nuk do të kishte sezon verore, por rezultatet ishin mbresëlënëse. Ne nuk e kursyem vetveten, ashtu siç nuk i kursejmë ata që shkelën ligjin. Jemi marrë edhe me kartelet e drogës, mafinë e ndërtimit, mafinë e duhanit …”, pati thënë ai, shkruan Gazeta Insajderi.

    Për këto çështje ai kishte folur edhe në shumë momente të tjera, siç bëri edhe mbrëmë në seancë pak para rrëzimit të tij nga pozita e kryeministrit të Malit të Zi.

    Por, pavarësisht se luftimin e mafisë së cigares e kishte gjithmonë në diskursin e tij, ai ndryshe vepronte në realitet – shoqërohej me Gazmend Abrashin, biznesmenin e duhanit që dikur pati alarmuar Bashkimin Europian.

    Në korrik të këtij viti, Abazoviq shihej në rend të parë më Abrashin në manifestimin qendror të ditëve të diasporës në Rozhajë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Madje, biznesmeni nga Kosova kishte publikuar disa fotografi ku shihej tashmë me kryeministrin e shkarkuar malazez.

    Për çfarë e pati alarmuar Abrashi, Bashkimin Europian?

    Në vitin 2018, Kosova kishte importuar afërsisht 2 mijë e 770 tonelata cigare, ku të hyrat nga ana e Doganës së Kosovës, ishin rreth 125 milionë euro.

    Zyra e Kryeministrit që atë kohë udhëhqiej nga Ramush Haradinaj, pati hartuar një dokument me të cilin synonte ta hiqte akcizën për duhanin dhe ta zëvendësonte atë me një taksë prej 30%.

    Këtë dokument qeveria, e kishte dërguar për shqyrtim edhe në Komisionin për Buxhet dhe Financa, ku më pas e kishte marrë dritën e gjelbër për ndryshimin e normës së tatimit të akcizës.

    Me anë të këtij dokumenti, në vend të akcizës, e cila për cigaret paguhej në shumë prej 45 EUR/KG, ndërsa për duhanin 35 EUR/kg, pritej të aplikohej një taksë prej 30%.

    Kryeministri i atëhershëm, Haradinaj pati thënë se këtë vendim e pati marrë për t’i zhvilluar prodhuesit vendorë.

    “Favorizimi i prodhimit. Nëse një kompani e ofron një opsion. Nuk hup Kosova nëse edhe njëherë fillon kultivimi i duhanit. Kjo e rregullon vetëm prodhimin, nuk e prek importin. Kjo, me sa di unë, ka të bëjë më një veprimtari që nuk është kultivu deri tash”, pati thënë Haradinaj, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, me ndryshimin e këtij ligji, përfituesi më i madh dilte të ishte këshilltari i atëhershëm Haradinajt, dhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, i cili është pronar i firmës së vetme “Premium Tobacco Group” që merret me prodhimin e cigareve në Kosove.

    Por, Bashkimi Evropian, e pati kundershtuar fuqishëm këtë vendim. Në një përgjigje, atëherë thuhej se “ky vendim bie ndesh me marrëveshjen e stabilizim asocimit-MSA”.

    Në këtë përgjigje thuhej se pasi komisioni Evropian e ka shqyrtuar marrëveshjen, përfaqësuesja e BE-së, Natalia Apostolova, i ka sugjeruar qeverise që ta tërheq këtë vendim.

    Pavarësisht sugjerimit nga BE, qeveria e Haradinajt nuk e kishte tërhequr vendimin.

    Abrashit i shkojnë huq dy vite afër Haradinajt, Kurti ia godet brutalisht biznesin e tij

    Në shkurt të 2020-ës, kabineti i Albin Kurtit e kishte shfuqizuar vendimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinajt për akcizën e duhanit.

    Fillimisht ministri i Financave Besnik Bislimi kishte deklaruar se ishte konstatuar se ky vendim ishte i dëmshëm për shtetin prandaj duhej të shfuqizohet menjëherë. Sipas Bislimit edhe zyra e Bashkimit Evropian kishte kërkuar që mos të hyjë në fuqi ky vendim.

    “Ky koncept që ne dëshirojmë të shfuqizohet e ka ndryshuar numrin e aksicëz dhe këto nuk janë të drejta. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka kërkuar qe mos të hyjë në fuqi pasi bien në kundërshtim me rregullat”, pati thënë Bislimi, shkruan Gazeta Insajderi.

    Nga ky vendim përfituesi më i madh kishte qenë Gazmend Abrashi, i cili gjatë qeverisë Haradinaj po ashtu mbante edhe pozitën e Koordinatorit për Zhvillim Ekonomik në Qeveri.

    Krejt kjo pasi që fabrika e vetme që merret me prodhimin e cigareve në Kosovë është “Premium Tobacco Group”, në pronësi të Abrashit, shkruan Insajderi.

    Abrashi e kishte privatizuar fabrikën e Duhanit në Gjilan, në vitin 2013 pas një varg dështimesh për ri-aktivizimin e saj./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark