Kremlini ka thënë se pilotja ukrainase, Nadia Savchenko, do të vuajë dënimin me burg prej 22 vjetësh, të shqiptuar nga një gjykatë ruse, pavarësisht thirrjeve të Kievit për shkëmbim të të burgosurve.
“Për Savchenkon, situata është e thjeshtë dhe e kuptueshme. Savchenko është e dënuar. Ajo do të shërbejë dënimin”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë se Kievi është i gatshëm që ta shkembejë atë me të burgosur rusë.
Peskov ka thënë se “deri më tash, nuk ka vendime të tilla nga presidenti rus, Vladimir Putin”.
Savchenko është dënuar më 22 mars pasi është shpallur fajtore për përfshirje në vrasjen e dy gazetarëve rusë në lindje të Ukrainës, më 2014.