Kremlini ka deklaruar të premten se marrëveshja për ndalimin e luftës në Ukrainë nuk do të arrihej me uljen e çmimeve të naftës siç ka sugjeruar presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka raportuar agjencia e lajmeve “AP”.
Duke folur përmes video-thirrjes nga Shtëpia e Bardhë për Forumin Ekonomik Botërorë në Davos të Zvicrës, Donald Trump ka deklaruar të enjten se aleanca e shteteve eksportuese të naftës OPEC+ ndan përgjegjësinë për konfliktin gati trevjeçar në Ukrainë, sepse i ka mbajtur të larta çmimet e naftës.
“Nëse çmimet do të uleshin, lufta Rusi-Ukrainë do të ndalej menjëherë”, ka deklaruar Trumpi. Shitjet e naftës janë pjesë e madhe e të ardhurave për Rusinë.
Në pyetjen për komentet e Trumpit, sekretari për media i presidentit të Rusisë, Dmitry Peskov, ka deklaruar se konflikti në Ukrainë ka filluar si pasojë e injorimit nga Perëndimi të interesave të sigurisë së Rusisë.
“Konflikti nuk varet nga çmimi i naftës”, ka deklaruar Peskov gjatë konferencës virtuale me reporterët. “Konflikti po ndodh si pasojë e kërcënimit të sigurisë kombëtare të Rusisë, kërcënimit ndaj rusëve që jetojnë në ato territore dhe refuzimi i amerikanëve dhe evropianëve të dëgjojnë shqetësimet ruse të sigurisë. Nuk është e lidhur me çmimet e naftës”.
Ai ka shtuar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin qëndron i gatshëm për kontakte me Trumpin.
Ndaj pyetjes për deklaratat e Trumpit se presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky është i gatshëm për marrëveshje për paqe, Peskov ka përmendur vendimin e mëhershëm të udhëheqësit të Ukrainës për të mos negociuar me Moskën.
“Zelensky nuk mund të jetë gati për marrëveshje”, ka deklaruar Peskov, duke shtuar se “për të arritur marrëveshje duhet të fillojmë negociata, dhe Zelensky ka ndaluar veten për të zhvilluar negociata me vendimin e tij”.
Të mërkurën, Trump ka kërcënuar me tarifa, taksa dhe sanksione të forta ndaj Rusisë nëse nuk arrihet përfundimi i luftës në Ukrainë.