×
  • Lajme
  • Lajme

    Kreu i Pensionistëve: Do t’i hakmerremi Qeverisë Kurti, na përbuzën e na fyen

    Insajderi
    06 October 2024 - 08:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në Kosovë pensioni bazik, të cilët e marrin edhe 150 mijë pensionistë, është 100 euro, përderisa pensionistët kontributdhënës më së shumti i marrin rreth 265 euro në muaj, varësisht prej shkollimit dhe përvojës së tyre.

    Kreu i Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi, ka deklaruar për portalin Front Online se Qeveria Kurti i ka injoruar nevojat financiare të pensionistëve. Ai theksoi se pensionistët janë lënë pas dore dhe se qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të përmirësuar situatën e tyre.

    ‘’Qeveria jo që nuk ka bërë asgjë, por ka bërë keq tërë kohën dhe nuk është marrë me çështjen e pensionistëve fare. Qeveria ka kohë që i ka lënë pas dore pensionistët e nuk merret fare me ta, na ka përbuzur e na ka fyer, gjë që është e papranueshme’’,tha Gashi.

    Gashi nënvizoi se pensionet që marrin të moshuarit në Kosovë janë jashtëzakonisht të ulëta dhe të pamjaftueshme për të mbuluar nevojat e tyre themelore.

    Ai e akuzoi Qeverinë, siç tha për gënjeshtra, duke pretenduar se kishte rritur pagat, ndërsa realiteti sipas tij tregon të tregon të kundërtën. Sipas tij, kjo është një situatë e papranueshme që reflekton mungesën e respektit ndaj pensionistëve.

    ‘’Ne e dimë që pensionet që i marrin të moshuarit në Kosovë janë të pa mjaftueshme, janë një shume shumë e vogël, mirëpo kjo qeveri përkundër kësaj nuk ka marrë asnjë hap.Qeveria Kurti edhe kategoritë e tjera i ka gënjyer kinse u ka rritur pagat për pensione s’po flas hiç se dihet siç është gjendja s’ka asnjë rritje’’,deklaroi Gashi.

    Ai gjithashtu përmendi se, megjithëse pensionistët janë trajtuar si “qytetarë të dorës së dytë”, ata kanë bërë protestat e tyre në mënyrë të qetë dhe paqësore, duke përdorur simbole si trëndafila dhe pëllumba të bardhë për të shprehur paqen

    Gashi përfundoi duke nënvizuar se pensionistët do të hakmerren në mënyrën e tyre për këtë injorim, duke lënë të kuptohet se ata nuk do të heshtin përballë padrejtësive që po iu bëhen.

    ‘’ Pensionistët kjo qeveri i ka trajtuar si të mos jenë fare qytetarë të këtij vendi.Ne nuk e kemi zakon me e gjuajtë policinë tonë me gurë dhe me i thyer xhamat e kuvendit, përkundrazi ne kemi protestë bë mënyrë shumë paqësore e më të kulturuar të mundshme, me trëndafila e me pëllumba të bardhë. Qeveria prapë nuk ka kuptuar kështu që le të mbetet në ndërgjegjen e tyre, ne do të hakmerremi në mënyrën tonë dhe ata do ta përjetojnë hakmarrjen tonë por do të jetë shumë vonë ‘’, përfundoi Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve, Nijazi Gashi.

    Shuma e pensionit kontribut pagues të moshës nga muaji janar 2016 ka pësuar ndryshime ku pensionet paguhen sipas kategorizimeve në bazë të nivelit të shkollimit si në vijim: Kategoria e parë-pensionist i pa arsimuar ose me arsim fillor – shuma e pensionit është 182 euro; Kategoria e dytë – pensionist me arsim të mesëm- shuma e pensionit është 198 euro; Kategoria e tretë –pensionist me arsim të lartë – shuma e pensionit është 214 euro; Kategoria e katër –pensionist me arsim universitar- shuma e pensionit është 265 euro.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark