Kryeinspektori i Punës në regjionin e Veriut, Nexhat Fazliu ka treguar se si u rrah për vdekje nga biznesmeni, Mentor Beqiri emri i të cilit përmend krahas liderit të Grupit të Organizuar Kriminal në Veri, Zvonko Veselinoviç.
Krejt kjo pasi Fazliu dënoi biznesin e Beqirit me 10 mijë euro gjobë. Tregon se si e përcjellin punëtorët e Beqirit dhe e kërcënonin.
Madje edhe vet Mentor Beqiri e ka përcjellur me veturë thotë ai.
“Mua më kanë lënë për vdekje, pas një jave apo dy janë zbuluar nga ana e Policisë personat të cilët e kanë kryer krimin. Janë arrestuar, madje njëri prej të arrestuarit është arrestuar në Mitrovicën e Veriut ku kanë qenë duke punuar në objektin ndërtimorë nëse s’gaboje ka qenë RAD Sh.p.k në kohën kur janë arrestuar për më hollësisht mund të merrni informacion në Policinë e rajonit të Prishtinës, ata ju japin të dhëna më të sakta”, ka thënë ai.
Kryeinspektori tregon se si u bënë arrestimet e sulmueseve të tij.
“…fillimisht arrestimi i parë është bërë në RAD Sh.p.k, punëtor i Mentor Beqirit. Në po atë ditë është gjendur në atë lokacion, tek ajo ndërtesë ku kanë qenë duke punuar në subjektin juridik RAD Sh.p.k, kanë qenë BMË me të cilën është kryer krimi ndaj meje. Ku është konfiskuar ajo veturë zyrtare, pas një muaji është arrestuar edhe personi i 3 nga ana e prokurorisë është ngritur aktakuza ndaj 3 persona për vrasje të rëndë në tentativë e kryer në grup, gjithashtu është ngritur aktakuzë ndaj Mentor Beqirit, pronarit të MAB Shpk – për shtytje gjë që pres prej anës së gjykatës të marrë vendim të drejt, të paanshëm dhe të pa ndikueshëm.”.
Ai tutje tregon, se pas sulmit brutal ndaj tij çka do të ndodhte me Mentor Beqirin dhe grupin e punëtorëve të tij. Si do të përfundonte i vrarë Mehmet Kurti, që në këtë foto në dosje policore është shënuar me numrin një, dhe afër tij rri i akuzuari tjetër, Behar Halili, i shënjuar me numrin dy.
“Lidhur me sulmuesit e mi të cilët kanë qenë të urdhëruar nga Mentor Beqiri, ata fillimisht janë arrestuar pas 6 muajve, Gjykata e Prishtinës, nuk e di Themelore apo e Apelit i ka liruar në arrest shtëpiak, ku personat që kanë qenë të arrestuar në arrest shtëpiak e kanë thyer masën e arrestit shtëpiak, pastaj, ata persona kanë kryer disa sulme madje me sa kam informata pas sulmit tim edhe ndaj një avokati, të cilin e kanë lënë për vdekje me pasoja të rënda”, rrëfen ai.
“Pastaj ka ndodhur edhe një sulm ndaj një biznesi tjetër për arsye të kësaj femrës së mitur – e cila ka lëvizur me vend të punë në momenti që sulmuesi im që ka qenë edhe njëfarë forme ai punëtori Mehmet Kurti i cili tash është i ndjerë ka qenë në bazë të informatave dhe rrjeteve sociale duke e trajtuar atë punëtore si skllave, dhe në momentin që ai ka rënë në burg ka shkuar në një subjekt tjetër, dhe po sa ka dalë ai nga burg ka ardhë dhe i ka sulmuar edhe pronarët e atij subjekti tjetër e ku pas 4-5 orëve ka ndodhë edhe vrasja e sulmuesit si shenjë vetëmbrojtje nga ana e atij subjekti juridik për shkak të femrës se njëjtë të mitur, 16 vjeçare e cila femër ndoshta ne nuk kemi informata, organet e sigurisë duhet të kenë se çka është bërë me të ndoshta është ende duke u keqpërdorur nga ana e personave në fjalë”.
“Në atë rast ka ndodh kur ka ndodh ai sulm ka ndodh vrasja e njërit prej sulmuesve të mi dhe është plagosur njëri nga sulmuesit e mi dhe është plagosur një person tjetër dhe personat kyç”, rrëfen ai.
InDoks ka kontaktuar Mentor Beqirin, të akuzuarin për shtyrje në vrasje të rëndë në tentativë kundër Fazliut, por i njëjti ka refuzuar të japë intervistë para kamerës. Ai ka dërguar vetëm një deklaratë me shkrim.
“Unë nuk e kam urdhëruar sulmin ndaj Nexhat Fazliut dhe as kolegët e mi nuk e kanë sulmuar. Aktakuza nuk ka prova. Mendoj që deklarata e Fazliut është për ti bërë presion psikik Prokurorisë dhe Gjykatës”, ka thënë për InDoks, Mentor Beqiri.
Mentor Beqiri, që me kompaninë e tij MAB ndërton banesa edhe në Serbi, por edhe në Kosovë, ka pasur disa procese gjyqësore. Në vitin 2012 madje u ndalua edhe nga EULEX.
“Dimensionet e biznesit kriminal të udhëhequr nga Mentor Beqiri duket të jenë të mëdha. Prova e marrë nga regjistrimi dhe përgjimi i telekomunikimeve të tij ka zbuluar se Mentor Beqiri është gjithashtu i përfshirë në veprimtari lidhur me ndërtimin dhe shitjen e pronës së paluajtshme në emër të kompanisë ‘Project Energineering’, firmë kjo e paregjistruar… në Fushë-Kosovë dhe dy të tjera në pjesën jugore të Mitrovicës”, ka përshkruar prokurori veprimtarinë e tij. “Kjo veprimtari ka mundur të jetë kanal përmes të cilit janë pastruar përfitimet e ardhura nga shitja e karburantit të kontrabanduar”, kishte deklaruar prokurori i EULEX, Olivier Beauvallet.
Edhe këto akuza i kishte mohuar Mentor Beqiri.
InDoks | #BlackList Kosova – Mafia e Veriut (II) – Dokumentari i plotë