Studentët të cilët po ushqehen në mensën e studentëve në Prishtinë janë duke u keq-ushqyer. Gjellrat e tyre po shoqërohen edhe me insekte, fije floku, materiale plastike dhe papastërti të tjera. Lidhur me këtë Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje ushtruesit të detyrës së drejtorit të QS-së, Ekrem Rudari, por i njëjti ka zgjedhur të heshtë.
Mensa e Studenteve është hapësira ku studentet banues në Qendrën e Konvikteve ushqehen dy herë në ditë përmes një pagese mujore që e realizojnë.
Kohët e fundit ka pasur shumë ankesa për mënyrën e përgatitjes se ushqimit dhe kujdesit nga stafi.
Në një grup në rrjete sociale janë publikuar fotografi, ku në pjatën e një studentes shihet edhe një krimb.
“Tash është ba boll, veç sot dy tri ankesa për ushqim apo e merrni seriozisht. Ftojmë U.D drejtorin të marrin masa urgjente“, thotë një student.
Një student tjetër është ankuar se së bashku me vezën i është servuar edhe lëvozhga e saj.
Në ushqimin e studentëve nuk po mungojnë as fijet e flokëve.
Lidhur me ankesat e studentëve Insajderi i është drejtuar me pyetje edhe u.d. i drejtorit të Qendrës së Studentëve Ekrem Rudari i njëjti nuk është përgjigjur.
Gazeta Insajderi ka pyetur edhe AVUK-un, se a kanë kryer kontrolle së fundmi në QS, por edhe ata kanë zgjedhur të heshtin.
Ndërkohë me reagim ka dal deputetja, Albana Bytyqi, e cila tha se kjo gjendja është e papranueshme dhe një dështim i rëndë i institucioneve përgjegjëse.
“Kjo gjendje është e papranueshme dhe përbën një dështim të rëndë të institucioneve përgjegjëse për sigurimin e kushteve bazike të mirëqenies së studentëve tanë. Qeveria dhe Ministria e Arsimit duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë situatë! Studentët janë e ardhmja e vendit tonë, dhe është turp që ata përballen me kushte të tilla gjatë kohës kur ata përpiqen të ndërtojnë një të ardhme më të mirë”, tha ajo/Insajderi.org/