Kriza e fuqisë amerikane: Si e shohin evropianët, Amerikën e Joe Biden - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Kriza e fuqisë amerikane: Si e shohin evropianët, Amerikën e Joe Biden

    Insajderi
    24 January 2021 - 09:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Amerikanët kanë një president të ri, por jo një vend të ri. Ndërsa shumica e evropianëve iu gëzuan fitores së Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020, ata nuk mendojnë se ai mund t`a ndihmojë Amerikën të rikthehet si një udhëheqëse e shquar globale.

    Ky është zbulimi kryesor i një studimi pan-evropian me më shumë se 15.000 njerëz në 11 vende, të porositur nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, i kryer gjatë muajve nëntor dhe dhjetor nga Datapraxis dhe YouGov. Sondazhi ynë tregoi se qëndrimet e evropianëve ndaj SHBA-së kanë pësuar një ndryshim të madh.

    Shumica në vendet kryesore anëtare të BE-së, mendojnë se sistemi politik amerikan ka degraduar,se Kina do të jetë më e fuqishme se SHBA brenda një dekade, dhe se evropianët nuk mund të mbështeten më për mbrojtje tek Uashingtoni.

    Në të gjithë 11 vendet e përfshira nga sondazhi i ECFR, 53 për qind e të anketuarve besojnë se fitorja e Bajden do të sjellë një ndryshim pozitiv për vendet e tyre, dhe 57 për qind mendojnë se ajo është e dobishme edhe për BE-në. Por shumë evropianë nuk besojnë se elektorati amerikan, nuk do të votojë mënjë tjetër Donald Trump pas 4 vitesh.

    Madje 53 për qind e gjermanëve thonë se pas zgjedhjes së Trumpit si president, amerikanëve nuk mund t’u besohet më. Por ndërsa evropianët janë më pozitivë në lidhje me BE-në, ata janë shumë pesimistë ndaj SHBA-së. Mbi 6 në 10 të anketuar në 11 vendet e anketuara besojnë se sistemi politik amerikan është tërësisht ose disi i prishur.

    Dhe 51 për qind e të anketuarve, nuk bien dakord me pikëpamjen se nën Bajdenin, SHBA-ja ka të ngjarë të riparojë ndarjet e saj të brendshme, dhe të investojë në zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare si ndryshimi i klimës, paqja në Lindjen e Mesme, marrëdhëniet me Kinën, dhe siguria evropiane.

    Në të 11 vendet e anketuara, 6 në 10 të anketuar mendojnë se Kina do të bëhet më e fuqishme se sa SHBA-ja brenda 10 viteve të ardhshme. Pikëpamja se Kina do të kapërcejë SHBA-të, ndahet nga 79 për qind e publikut në Spanjë, dhe nga 72 për qind e qytetarëve në Portugali dhe Itali.

    Nga ana tjetër, ne vumë re 4 ndryshime të thella të mendimit të evropianëve. Së pari, ka njëlëvizje drejt një vetëbesimi më të madh. Të paktën 60 për qind e të anketuarve në çdo vend të anketuar, besojnë se ata nuk mund të mbështeten gjithmonë tek SHBA-ja për mbrojtjen e tyre, dhe se për këtë arsye, duhet të investojnë në mbrojtjen evropiane.

    Surpriza e dytë e madhe,ka të bëjë me çështjen e shtrirjes gjeopolitike. Bajden ka bërë thirrje që SHBA-ja dhe Evropa të formojnë një front të bashkuar kundër Kinës. Por sondazhi i ECFR tregon se në Evropën e sotme, nuk ka asnjë ëndërr për një kthim tek një botë bipolare në të cilën Perëndimi do të përballej me Kinën dhe aleatët e saj, siç bëri dikur kundër Bashkimit Sovjetik.

    Të shqetësuar nga dyshimet mbi Amerikën, dhe të ndikuar nga fokusimi i Trump tek interesat kombëtare, votuesit evropianë kanë filluar të mendojnë ndryshe mbi natyrën e aleancës transatlantike. Dhe as ndryshimi politik në Uashington, nuk duket se e ka ndryshuar thelbësisht qëndrimin e të anketuarve në lidhje me rreshtimin gjeopolitik të unionit.

    Të paktën gjysma e elektoratit në çdo vend të anketuar, dëshiron që qeveria e tyre të mbetet neutrale në rastin e një konflikti midis SHBA-së dhe Kinës. Mosgatishmëria e Evropës për t’iu bashkuar SHBA-së, del gjithashtu edhe në pikëpamjet e të anketuarve mbi një konflikt midis SHBA-së dhe Rusisë.

    Në asnjë vend të anketuar, nuk pati ndonjë shumicë që do të dëshironte të merrte anën e Uashingtonit. Ky ndryshim i perceptimeve, mund të ketë aq shumë lidhje me fuqinë sesa gjithçka tjetër. Evropianët e kujtojnë fare mirë se gjatë Luftës së Ftohtë 1.0, ata ishin në anën e fituesve.

    Ndërkohë, frika në shumë vende evropiane, është se Lufta e Ftohtë 2.0 mund të ketë një rezultat tjetër. Mosbesimi në rritje ndaj besueshmërisë dhe fuqisë së Uashingtonit, po e ndryshon natyrën e aleancës transatlantike. Koalicionet e luftës së ftohtë të Amerikës, morën formën e një “martese katolike”.

    Ata ishin menduar të ishin monogame, pa asnjë mundësi divorci. Por pas 4 vitesh të presidencës Trump, aleanca duket si një marrëdhënie më rastësore – pra një martesë e hapur, në të cilën sjellja e lojtarëve të tjerë është çelësi për të mos u shfrytëzuar.

    Pasoja e tretë e ndryshimit të perceptimit të fuqisë, është dëshira për të qenë më pak sentimentalë në marrëdhëniet me SHBA-në. Një nga efektet negative të mandatit të Trump në pushtet është se duke u përqendruar pa mëshirë vetëm tek interesi kombëtar, ai i ka inkurajuar lojtarët e tjerë – përfshirë evropianët – të përqendrohen më shumë në mbrojtjen e interesave të tyre, në kurriz të përqendrimit në interesat e përbashkëta më të gjera të Perëndimit demokratik.

    Kjo pasqyrohet në dëshirën e shumë evropianëve për të investuar në mbrojtjen e vetvetes.

    Gjithashtu, vërehet një ndryshim i dukshëm në mënyrën se si njerëzit i konsiderojnë marrëdhëniet ekonomike transatlantike. Ndër tetë vendet e anketuara mbi këtë çështje, shumë të anketuar si në Gjermani (37 për qind), Francë (48 për qind), dhe Italia (42 për qind) mendojnë se vendi i tyre duhet të jetë më i ashpër me SHBA-nëne lidhje me çështjet ekonomike të tilla si tregtia ndërkombëtare, taksimi i kompanive shumëkombëshe, dhe rregullimi i platformave dixhitale.

    Ky mosbesim dominues po ndryshon gjithashtu dhe mënyrat se si evropianët lidhen me njëri-tjetrin –që është edhe pasoja e katërt e politikës së madhe që del nga sondazhi ynë. Ndërsa nuk e shohin më Uashingtonin si një partner të besueshëm, evropianët po shikojnë njëri-tjetrin më pranë sesa dikur.

    Kjo ngre çështjen nëse Berlini do t`a zëvendësojë Uashingtonin si kryeqytetin “ku duhen qarë hallet”. Administrata Bajden po vjen në pushtet në një moment kur politika e Trump “Amerika e Para” nuk ka arritur që t’i sigurojë Uashingtonit një ndikim më të madh global.

    Ndërsa Bajden synon të përmbysë qasjen e Trump, ai do të pengohet jo pak nga politikat që e bënë Amerikën të duket e paqëndrueshme, egoiste dhe e dobët.

    Tani ekziston një mundësi unike për t`a ringjallur dhe transformuar aleancën transatlantike. Na duhet një transatlantizëm i ri, i bazuar në kuptimin e përbashkët se aleanca SHBA-Evropë nuk është e mjaftueshme për të riformuar botën.

    Marrë me shkurtime nga “European Council on Foreign Relations” – Bota.al


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark