Kriza e thellë e së majtës në Evropë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Kriza e thellë e së majtës në Evropë

    Insajderi
    27 June 2016 - 21:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Spanja, Britania e Madhe, Franca dhe Italia. Kudo e majta evropiane është në krizë të fortë, shumë të fortë, siç e demonstrojnë rezultatet e zgjedhjeve spanjolle dhe referendumit britanik për BE-në

    Duket sikur ka kaluar një shekull që nga shtatori 2014, kur kryeministri italian, Matteo Renzi në mbyllje të Festës së Unitetit të Bolonjës, u ngjit në skenë së bashku me kryeministrin francez Manuel Valls, liderin e PSOE Pedro Sanchez, dhe më pak të njohurit, Diederik Samsom (udhëheqës i Partisë Laburiste të Holandës) dhe Achim Post (Sekretari i SPD), të gjithë të veshur këmisha të bardha, ashtu si e do stili renziano.

    Po ta shohësh sot atë fotografi, të duket “e ndenjur” tashmë. Në atë kohë, Kryeministri Renzi ishte “cool” për fitoren e zgjedhjeve me evropiane, ndërkohë që vetëm një javë më parë doli me “kocka të thyera”, pas disfatës në zgjedhjet lokale. Vetëm dje, PSOE e Pedro Sanchezit ka pësuar humbjen e dytë në zgjedhjet politike, brenda vetëm pak muajsh. Nëse, nga njëra anë, në fakt, është e vërtetë se Partia Socialiste spanjolle arriti që vetëm për pak të mos lejojë Podemosin ta parakalojë, nga ana tjetër ka marrë pesë deputetë më pak se në zgjedhjet e mëparshme, të cilat kishin shënuar tashmë rezultatin më të keq të arritur ndonjëherë .

    Kriza e të majtës spanjolle është dramatike për shkak se Podemosi i Pablo Iglesiasit ka dështuar në objektivin për t’u bërë Tsiprasi spanjoll, ndërkohë që PSOE ndodhet në trysni të vazhdueshme, që të bjerë dakord për të formuar një qeveri me popullorët e Mariano Rajoyt, por “koalicionet e mëdha” nuk janë zakon në gadishullin iberik. Rreziku i humbjes së mbështetjes për PSOE-në, nëse bëhet pjesë e një “koalicioni të madh” është konkrete, dhe ekziston frika se mos i hyn një rruge të rrezikshme, si PASOK-u grek apo SPD gjermane.

    Nga ana tjetër, në Greqi, nuk po e ka aspak të lehtë as edhe “i forti dhe i pastri” Alexis Tsipras, i cili në 15 qershor i ka gjetur rrugët e Athinës të mbushura plot e përplot me njerëz që protestonin kundër masave shtrënguese, të miratuara nga qeveria e tij.

    Edhe Parisi, për disa javë ka qenë skenë e grevave dhe protestave të forta kundër “jobs act” të kryeministrit Valls, i cili sheh tek Matteo Renzi një model për t’u imituar. Pas një viti do të jenë zgjedhjet presidenciale dhe Francois Hollande rrezikon seriozisht të përjashtohet edhe nga balotazhi, dhe Marine Le Pen mund të zërë vendin e tij. Një fitore e Lepenistëve do të hapte rrugën ehde Francë, për një referendum mbi qëndrimin në Bashkimin Evropian. bota.al

    Referendum i cili gjunjëzoi laburistët e Jeremy Corbyn, i akuzuar nga elita e partisë së tij se nuk u përpoq mjaftueshëm për fitoren e qëndrimit në BE, ndërsa 11 anëtarët e kabinetit të tij hije kanë dhënë dorëheqjen. Corbyn nuk ka ndërmend të heqë dorë, por strategjia e tij për të mos “ndotur duart” për të mposhtur David Cameronin nuk ka prodhuar rezultatet e dëshiruara. Tani ka shumë që duan kokën e tij, sidomos Blairitët, të etur për të rimarrë lidershipin e një partie, e cila doli e copëtuar pas zgjedhjeve të fundit.

    Në Skocinë “e kuqe” laburistët kanë pasur një përmbysje të vërtetë, dhe humbja u lehtësua disi vetëm nga fitorja e Sadiq Khanit në Londër, që u shfaq në karikaturat pro qëndrimit së bashku me Cameronin, dhe aq i pezmatuar për rezultatin e referendumit, saqë shkruajti në Facebook një mesazh për Evropën: “Jeni të mirëpritur.” Erërat antieuropiane kanë fryrë së fundmi edhe në Austri, ku socialistët dolën jashtë nga raundi i dytë i zgjedhjeve të fundit presidenciale.

    Një balotazh i fituar me vetëm 31 mijë vota nga kandidati i pavarur i të Gjelbërve, Alexander Van der Bellen, që mundi Norbert Hofer, kreun e partisë së ekstremit të djathtë FPO, i cili kohët e fundit kërkoi një rinumërim të fletëve të votimit. Nga Britania e Madhe të UKIP, në Francën e Frontit Nacional, e ashtuquajtura “e djathtë ekstreme” përparon, ndërsa socialistët tërhiqen kudo, duke mos e kuptuar se ëndrra europiane është shndërruar tashmë në një makth./Il Giornale-Bota.al

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark