Ministria e Ekonomisë ka lëshuar një njoftim ku ka thënë se vështirësia e furnizimit me energji elektrike në disa pjesë të Kosovës është si rezultat i mbingarkesës së sistemit elektro-energjetik dhe jo mungesës së rrymës.
“Sipas informatave nga operatorët e rrjetit, KOSTT dhe KEDS, vështirësitë e fundit në furnizimin me energji elektrike në disa zona të Kosovës janë rezultat i mbingarkesës së sistemit elektro-energjetik e jo nga mungesa e energjisë elektrike”, thuhet në njoftim, shkruan Insajderi.
“Me uljen e temperaturave dhe duke qenë në prag të fundvitit, konsumi i energjisë elektrike është rritur në rajon e në disa vende evropiane. Aktualisht, rrjeti i shpërndarjes dhe transmisionit ka arritur kapacitetin maksimal të shfrytëzimit (mbi 1400 MW gjatë ditës dhe mbrëmjes). Kjo mbingarkesë po rrezikon stabilitetin e sistemit dhe furnizimin e disa zonave, për shkak të prishjeve që shpesh ndodhin në mot të lig ose mungesës së kapaciteteve të lira alternative për furnizim”.
Nga kjo ministri kanë thënë se ky problem mund të zgjidhet shpejt vetëm duke ulur konsumin e rrymës dhe nga ekipa teknike e KEDS’it dhe KOSTT’it.
“Ndërkohë, ne dhe të gjithë akterët e sektorit të energjisë u bëjmë thirrje që të kontribuoni në sigurinë e furnizimit për vete dhe për të gjithë vendin duke racionalizuar konsumin e energjisë elektrike përgjatë kësaj jave kritike, dhe duke e zhvendosur konsumin pas mesnatës në masën që është e mundshme”. /Insajderi.org/