
Bllokohen në Kroaci mbi 5 mijë kg pjeshkë nga Shqipëria pasi përmbanin nivel të lartë të nikelit.
Në një reagim zyrtar, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thotë se më datë 22 gusht Shqipëria është njoftuar nga Sistemi RASFF: “Nikel në pjeshkë me origjinë nga Shqipëria”.
Nga analizat e kryera në shtetin kroat, është konstatuar prania e nikelit mbi normën e lejuar. Sasia mbi 5 mijë kg pjeshkë kishte si vend prodhimi dhe grumbullimi qarkun e Fierit. Për këtë arsye, rasti i kaloi për ndjekje strukturave të Drejtorisë Rajonale të AKU Fier.
Sipas AKU, pjeshkët me nikel janë dërguar të gjitha për eksport dhe nuk janë tregtuar për konsumatorin shqiptar.
“Subjekti disponon sistem gjurmueshmërie, ku u verifikua se produkti është dërguar i gjithi për eksport dhe nuk është shpërndarë në tregun vendas. Sasia prej 5,562 kg pjeshkë është dërguar drejt Kroacisë, ku edhe është asgjësuar pas rezultatit të analizës laboratorike.” – thuhet në reagimin e AKU./Tv Klan