Ekipi i mirëmbajtjes nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka ndërhyrë në rrugën “P. N. Luarasi” në Gjakovë për debllokimin e kanalizimit, një problem që, sipas kësaj kompanie, po përsëritet për shkak të keqpërdorimit të rrjetit.
Me anë të një postimi në Facebook, kompania apelon me seriozitet që të tregohet kujdes maksimal dhe të mos hidhen mbeturina, vajra apo materiale të tjera të dëmshme në sistemin e kanalizimeve.
“Dëmtimi i rrjetit jo vetëm që shkakton përmbytje dhe ndotje, por rrezikon drejtpërdrejt shëndetin dhe sigurinë e të gjithëve. Zgjidhjet e përhershme në rrjetin e kanalizimit kërkojnë ndërgjegjësim dhe përgjegjësi nga secili prej nesh,” thuhet më tej në postimin e KRU “Gjakova”.