×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeinspektori i emëruar nga Qeveria Kurti u përzgjodh kundërligjshëm, e konfirmon edhe Apeli

    Insajderi
    18 July 2024 - 16:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Qeveria Kurti e ka humbur në Apel betejën për çështjen e kryeinspektorit Hekuran Nikçi.

    Gjykata e Apelit e ka rrëzuar ankesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, duke i dhënë të drejtë vendimit të Këshilli të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës(KPMShCK) për emërimin e Kryeinspektorit të Punës kundërligjshëm, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në aktgjykimin e Apelit thuhet se vendimi i Themelores mbetet në fuqi, i cili e vlerësonte si të drejtë vendimin e KPMShCK-së.

    “Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, A.nr.1892\2022, të datës 14.04.2023, është refuzuar si e pabazuar kërkesëpadia e paditësit Ministria e Financave, Punës dhe Transferve, kundër të paditurës Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me të cilën ka kërkuar të anulohet vendimi i të paditurës A.nr.50\2022”, thuhet në vendimin e Gjykatës se Apelit.

    Me propozim të Ministrisë së Financave, në Qeverinë e Kosovës e pati votuar Hekuran Nikçin për Kryeinspektor të Inspektoratit të Punës. Një vendim i tillë i Qeverisë u pati bërë në kundërshtim me ligjin, meqë për pozitën në fjalë duhej organizimi i konkursit.

    Si rezultat i kësaj, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte kërkuar nga kryeministri i Kurti që të kthejë mbrapsht vendimin e Qeverisë për emërimin e Nikçit si kryeinspektor.

    Kjo pasi që një pozitë e tillë hynë në kuadër të pozitave të larta të Shërbimit Civil dhe si e tillë i nënshtrohet rendit juridik për Zyrtarët Publik. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark