
Kryeinspektori i Punës në regjionin e Veriut, Nexhat Fazliu ka rrëfyer ekskluzivisht për “InDoks”, se si filluan telashet me Mentor Beqirin, biznesmenin të akuzuar për kontrabandë me naftë. I akuzuar për bashkëpunim me liderin e një Grupit të Organizuar Kriminal në Veri, Zvonko Veselinoviç.
Gjithçka nisi me një gjobë që dha për rastin e një të miture punëtore, dhe krejt telashet, sipas tij me Mentor Beqirin filluan aty.
“Kemi pasur një rast tjetër një denoncim nga ana e prindit për vajzën e tij të miture, 16 vjeçare ku prindi i vajzës fillimisht ka ardhë në zyre dhe e ka denoncuar rastin se vajza e tij e mitur punon natën nga ora 6 apo 7 pasdite deri në ora 2 të mesnatës. Ai fillimisht ka kërku ta ankohet gojarisht ne e kemi sugjeruar të ankophet përmes emailit ose me shkrim të protokolluar në mënyrë zyrtare, pastaj ka bërë kërkesën dhe kemi ne kemi bërë kërkesën për asistim nga ana e Policisë pastaj kemi shkuar në subjektin juridik MAB SHPK.”, ka thënë ai.
MAB Sh.P.K, kompani nën pronësi të Beqirit ka një rrjet të bizneseve. Pompa të benzinës, piceri e merret edhe me ndërtim. Vajza e mitur punonte në kompaninë e Beqirit si kameriere e shankiste. Përkundër rrezikut që i kanosej Fazliu thotë se shkuan për të kryere punën e tyre.
Fazliu tregon se ai dhe ekipi i tij u kërcënuan në prani të Policisë.
“Ne kemi konstatuar gjendjen faktike, prezencë të policisë kemi pasur kërcënime fillimisht nga ana e punonjësve të pronarit më vonë ka ardhur pronari në prezencë të policisë ka kërcënuar i ka urdhëruar punëtorët e vet të na përcjellin në tri katër lokacione në prezencë të policisë prapë kemi pasur kërcënime madje jemi gjuajtur edhe shpuza të cigareve dhe policia na ka marrë masat e tyre”, sqaron ai.
Inati duket që nuk i kaloi Mentor Beqirit. Nexhat Fazliu do të përfundon i sulmuar brutalisht. Edhe Prokuroria e Shtetit thotë që e sulmuan punëtorët e Mentor Beqirit me urdhër të Mentor Beqirit.
Fazliu dënoi me 10 mijë euro biznesin e Beqirit.
“Fillimisht inspektori e ka shqyrtuar gjobën prej që e ka gjetur duke punuar vajzën e mitur në punë natën, gjë që me ligj ndalohet puna e të miturve pas orës 22:00, punë nate. Dhe ajo prapë përkundër vërejtjeve ka vazhduar të punojë natën, gjë që edhe prindi i vajzës ka shkruar email, ka thënë që do të njoftojë mediat, prokurorinë pse ju nuk e ndalni vajzën. Punë e jona është vetëm punë administrative dhe konstatojmë raport zyrtarë dhe me vendim shqiptohet gjoba”, tha ai.
“Është shqiptuar gjoba në shumën prej 10 mijë eurove ku dy javë pas pranimit të gjobës që ka shkuar me post. Mentor Beqiri, pronar i subjektit MAB SHPK i ka urdhëruar punëtorët e vet, të cilët më kanë ardhë në vendlindjen time në fshatin tim, persona të maskuar dhe më kanë sulmuar me shkopinj të bejsbollit dhe më kanë lënë për vdekje”, thekson ai.
Prokuroria ka akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë Behar Halilin e Shpëtim Tahirin, derisa e përmend si pjesëmarrës në sulm edhe Mehmet Kurti, i cili do të vritej në një incident tjetër më vonë. Mentor Beqiri është akuzuar për shtyrje në vrasje të rëndë në tentativë.
InDoks | #BlackList Kosova – Mafia e Veriut (II) – Dokumentari i plotë