Kryeministri ‘adreson’ përgjegjësinë për demarkacionin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeministri ‘adreson’ përgjegjësinë për demarkacionin

    Insajderi
    31 July 2016 - 10:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kohën kur po afrohet dita e tryezës për demarkacionin me Malin e Zi, ka shpeshtuar konkludimet e tij, të shoqëruara edhe me pyetje të shumta.

    Në një një postim të tij, ai ka thënë se 3 gushti është dita kur të gjithë, me theks të veçantë, ata që, sipas tij, e kanë krijuar këtë kauzë, do ta kenë mundësinë që t’i argumentojnë shqetësimet e tyre.

    “Pres të epet përgjigja se cilët 12,000 apo 8,200 hektarë i humbi Kosova në shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Opozita dhe ekspertët e saj që krijuan këtë kauzë, për kuptimin tim të pavërtetë dhe të paqëndrueshme, e kanë shansin të faktojnë se cila komunë, cili vendbanim, cili fshat, cila zonë kadastrale është zvogëluar në krahasim me atë që ka qenë para nënshkrimit të Marrëveshjen për Kufirin me Malin e Zi”, ka shkruar kryeministri Mustafa.

    “Trajtimet teorike të të drejtës ndërkombëtare nuk na ndihmojnë shumë, nëse nuk jepet përgjigja konkrete në kauzën se i është falur territor Malit të Zi, respektivisht se Kosova ka humbur 8,200 apo 12 mijë hektar në këtë proces. A janë këta hektarët që ne i kemi administruar në periudhën e viteve 1974 (përkatësisht më 31 dhjetor të vitit 1988) apo është fjala për tokë të askujt “terra nullius” të cilën kemi pasur shans ta fitojmë por jemi treguar të ngathët?!. Apo as njëra dhe as tjetra!”, ka shkruar më tej Mustafa.

    Ai ka thënë se pavarësinë e kemi shpallur mbi bazën e Pakos së Ahtisarit me obligim se do ta zbatojmë Aneksin 8 të kësaj pakoje gjatë përcaktimit të kufijve të vendit tonë. Rezoluta e Kuvendit të Kosovës e vitit 2015, e iniciuar nga AAK, sipas Mustafës, kërkon që shënimi i vijës kufitare të bëhet në harmoni me Kushtetutën e vitit 1974.

    “Kjo Kushtetutë në nenin 3 thotë se territorin e KSA e përbëjnë territoret e komunave të tanishme. Janë evidencat e sakta për territorin e asaj kohe për çdo komunë dhe për çdo zonë kadastrale. Në këtë proces, as Kosova sikurse dhe as vendet e tjera, nuk mund të rregullojnë padrejtësitë historike”, ka shkruar kryeministri.

    “Në qoftë se vërtetohet se Kosova i ka humbur hektarët, për të cilët trumbetohet, atëherë për këtë do ta bartin përgjegjësinë ata që e kanë bërë, nëse nuk ofrohen fakte, përgjegjësia mbetet te ata që deshën ta kallin Kosovën për këtë kauzë”, thotë ai.

    “E vërteta është në shesh, prandaj besoj shumë se Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin me Malin e Zi do të votohet nga të gjithë deputetët dhe do të krijohen kushtet që të përfitojnë të gjithë qytetarët tanë nga liberalizimi i vizave si dhe të qohen përpara proceset e tjera me rëndësi jetike për vendin tonë”, shfaqë optimizën Mustafa.

    “Qytetarët nuk mund ta paguajnë çmimin e izolimit për shkak të agjendave politike të opozitës dhe politikave populliste të disa individëve”, e ka përfunduar postimin e tij kryeministri Isa Mustafa./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark