Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa mori pjesë në punimet e Takimit Ndërkombëtar të Lidershipit, në të cilin po marrin pjesë rreth 250 përfaqësues nga shtete të ndryshme të botës, ku prezantoi progresin e madh që është arritur në Kosovë si dhe sfidat me të cilat është ballafaquar vendi gjatë këtyre viteve.
Ai gjatë fjalimit të tij foli për vështirësitë e zhvillimit ekonomik si pasojë e dëmeve të para dhe gjatë luftës, në proceset që lidhen me ndërtimit e shtetit, pas shpalljes së pavarësisë në fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar, marrëdhëniet fqinjësore, proceset integruese euroatlantike si dhe proceset tjera.
Sa i përket vizave, Mustafa tha se nga Kosova është kërkuar që të plotësoj 95 kritere në mënyrë që të marr rekomandimin për liberalizim të vizave.
“Të gjitha këto i kemi plotësuar. Janë kritere të cilat janë gati dyfish më të mëdha se sa që i kanë kapërcyer disa nga vendet tjera në proces të liberalizmit. Ne nuk jemi ankuar për këtë, sepse të gjitha këto kritere kanë bërë që ne të ndërtojmë kritere demokratike të vendit tonë.
“Mirëpo na janë dhënë po ashtu edhe dy kritere shtesë tani që duhet t’i plotësojmë derisa Parlamenti Evropian të mos vendos, është ajo e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe është evidenca e trendit të luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit”, theksoi ai, shkruan lajmi.net.
Mustafa tha se Kosova ka përmbushur plotësisht 95 kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian në këtë proces. Ai po ashtu foli për sukseset e Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Ne i kemi shpall luftë të hapur korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe përkundër kësaj, kemi një percepcion të lartë në opinion lidhur me prezencën e korrupsionit”, tha kryeministri, duke shfaqur orientimin e Kosovës që të jetë pjesë e paqes, e stabilitetit dhe e mirëqenies në rajon dhe në mbarë botën.
Mustafa tutje foli për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të nënshkruar vitin e kaluar, për të cilën tha se mundëson që prodhimet kosovare të jenë të pranishme në tregun e BE-së. /Insajderi.com