Një ekspozitë masive e Edi Ramës vjen për herë të parë në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai i cili nga një artist i rrugëve të Parisit do të kthehej në Shqipëri si Ministër Kulture në vitin 1998, vjen me ekspozitë në Marian Goodman Gallery, me 11 nëntor, ndërsa një ditë më pas do të bashkëbisedojë me Hans Ulrich Obrist dhe Rirkrit Tiravanija.
Në këtë ekspozitë, mes tjerash, për herë të parë do të ekspozohen skulpturat qeramike që ngjasojnë si një personifikim i paletave të mëhershme mes bashkëpunimit Edi Rama – Anri Sala, një bashkëpunim i hershëm ky mes artistëve. Paletat janë pjesë e Dammi i Colori, punë e vitit 2003. Nga kjo punë pak a shumë kryeministri edhe ka nisur të transformojë fasadat e shtëpive të Tiranës në vende me më shumë ngjyrime, shkruan KultPlus.
Siç thotë koncepti i ekspozitës, këto skulptura janë gjoja mishërime tredimensionale të vizatimeve të tij autoriale. Në ekspozitën në Nju Jork vjen edhe bashkëpunimi tjetër mes Edi Ramës e Anri Salës – “Inversion Drawings”, ku Sala në një mënyrë ndërhyn në punën e Edi Ramës.
Rama thotë, në konceptin e ekspozitës, se e ka njohur Anri Salën kur ky ishte vetëm 10 vjeçar, kur preku për herë të parë ngjyrat, e Sala më vonë do të bëhej personi që do të ishte kurator i ekspozitës së parë të Edi Ramës.
Rama ka lindur në vitin 1964 ndërsa ka mbajtur ekspozita në Sao Paulo Biennial, Centre Pompidou në Paris, Tophane i Amire Culture and Art Centre në Stamboll.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 23 dhjetor.