×
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    Kryeministri flet për fizibilitetin e Aeroportit të Gjakovës tri vjet pas themelimit

    Insajderi
    02 April 2017 - 14:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Tri vjet pas themelimit të Ndërmarrjes Publike “Aeroporti i Gjakovës”, në mars të vitit 2014, Qeveria ende mendon që ta bëjë studimin e fizibilitetit dhe të nxjerrë rezultate konkrete se cila është mënyra më e mirë e shfrytëzimit.

    Kjo është bërë e ditur sot nga kryeministri Isa Mustafa i cili e vizitoi këtë ndërmarrje.

    “U morëm vesh që ta bëjmë një studim të fizibilitetit nga i cili do të del rezultati konkret se si është mënyra më e mirë e shfrytëzimit të këtij aeroportit”, tha kryeministri Mustafa.

    Mustafa tha se do të shikohet mundësia që ky aeroport të shfrytëzohet edhe për çështje ekonomike.

    “Do të zgjidhet edhe çështja e pronave, por para së gjithash çështja e përdorimit dhe shfrytëzimit ekonomik të këtij Aeroporti. Aeroporti është në vend të mrekullueshëm dhe shumë të përshtatshëm. Është një aset për të cilin ka nevojë Kosova që të shfrytëzohet ose për udhëtarë, për mallra…”, ka shtuar ai.

    Por kryeministri duhet të jetë në dijeni se çfarë përmban kontrata e nënshkruar me konsorciumin Limak dhe Aeroports de Lyon për aeroportin e Prishtinës.

    Kontrata u nënshkrua para më shumë se shtatë vjetësh, në gusht të vitit 2010 nga Qeveria e udhëhequr asokohe nga kryeministri Hashim Thaçi, tash president i vendit.

    Bazuar në këtë kontratë, hapja e një aeroporti të dytë komercial në vend është vështirë e realizueshme.

    Qeveria ishte marrë vesh me koncesionarin që t’i sigurojë pozitë monopoliste në treg dhe se do të veprojë kundër hapjes së aeroportit të dytë komercial.

    Neni 13.6 i asaj kontrate e siguron koncesionarin Limak dhe Aeroports de Lyon se nuk do t’i nënshtrohen konkurrencës së drejtpërdrejtë me hapjen e një aeroporti tjetër komercial në Kosovë.

    Por, edhe nëse një i tillë hapet Qeveria e Kosovës obligohet që t’ia kompensojë të gjitha humbjet koncesionarit të Aeroportit të Prishtinës.

    Funksionalizim të shpejtë të këtij aeroporti kishte premtuar edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, madje për ushtrinë e Kosovës.

    “Aeroporti i Gjakovës drejt funksionalizimit si aeroport civil dhe për ushtrinë e ardhshme të Kosovës”, kishte shkruar ministri Hoti në Facebook, në shtator 2016, raporton Insajderi.

    Aeroporti i Gjakovës ishte përdorur nga partitë politike, duke u premtuar qytetarëve të Gjakovës se shumë shpejtë do ta hapin atë.

    Këtë premtim e përdori edhe tashmë kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila. Pas marrjes së kësaj pozite, asaj nuk e dolën mirë përllogaritjet për hapjen e aeroportit. Ajo kishte paralajmëruar se do të ngre padi ndaj Qeverisë për neglizhencë të procedurave.

    “E vetmja gjë e cila i mbetet Komunës së Gjakovës është të përgatis padi ndaj Qeverisë së Kosovës për neglizhencë ndaj aseteve të vendit”, ka shkruar Kusari-Lila në Facebook.

    Kusari-Lila kishte deklaruar se hapja e këtij aeroporti nuk i shkakton konkurrencë aeroportit të Prishtinës, e cila sipas saj, mund të evitohet duke gjetur modalitete dhe duke ofruar shërbime që nuk i ofron ai i Prishtinës.

    Kohë më parë, anëtari i kryesisë së AAK-së, Ardian Gjini, i cili zyrtarisht është kandidat për kryetar të Gjakovës në zgjedhjet e ardhshme lokale, e ka akuzuar Kusari-Lilën, se kishte premtuar gjatë fushatës se do ta hapte aeroportin gjatë mandatit të saj.

    “Krijohet Bordi që s’ka me punu kurrë. Me dalë në fushatë e me ju thanë qytetarëve se ka mu hapë, duke qenë vetë pjesë e komitetit drejtues të projektit. Kur është nënshkruar kontrata për aeroportin “Adem Jashari”, ku eksplicit thuhet se nuk ka me pas për 20 vjet aeroport tjetër në Kosovë”, kishte thënë Gjini.

    Aeroporti i Gjakovës, i cili është vlerësuar t’i ketë rreth 10 milionë asete, e ka edhe Bordin menaxhues./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Biznes
    21 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark