Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka shfrytëzuar vizitën në Mbretërinë e Bashkuar, që t’i dorëzojë certifikatën e Veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jon Harrison, i cili ka qenë një nga luftëtarët e pakët nga Britania në luftën e fundit në Kosovë.
Këshilltari i kryeministrit, Bajram Gecaj, sapo ka publikuar disa fotografi nga ky dorëzim i certifikatës.
“Kryeministri Isa Mustafa i dorëzoi Jon Harrison-it në Londër Certifikatën e Veteranit të UÇK-së . Urime Jon”, ka shkruar Gecaj.
Ish ushtari britanik i UÇK-së që në korrik të vitit 2015 kishte bërë tatuazh shqiponjën e flamurit kombëtar, njihet edhe si kritikues i madh i veprimeve të opozitës kundër qeverisë Mustafa.
Në nëntor të vitit të kaluar, Harrison kishte shkruar një letër, në të cilën kritikonte veprimet e opozitës në parlament.
“Spreji e gazi lotsjellës po iu bën të dukeni budallenj”, potencon Harrison.
“Mos lejoni që gjaku i atyre që i kemi humbur në betejën tonë të humb kuptimin. Ecni me krenari sepse jeni të zgjedhurit, burra e gra, të vendit tuaj. Veproni si të tillë, çojeni Kosovën drejt një të ardhmeje të re, ndaloni me veprimet mendjengushta e të marra. Kosova është e ardhmja juaj dhe ju jeni e ardhmja e Kosovës”, ka përfunduar veterani Jon Harrison nga Brigada 138.