Mustafa ka akuzuar mediet e Kosovës, për të cilët ka thënë se po tentojnë të mbajnë peng pjesën e verit të Kosovës.
Kjo për faktin se i është dhënë hapësirë deklaratës së Marko Gjuriqit, që tha se “NATO e kontrabandoi Mustafën në veri nëpër rrugë malore emigrantësh”.
“Sot mora pjesë në inaugurimin e një ure, investim prej 400 mijë eurove nga NATO, në Kosovë. Fjala është për urën që lidh Zveçanin dhe Leposaviqin. Ishte një manifestim i organizuar nga KFOR-i. Një infrastrukturë shumë e rëndësishme komunikimi ndërmjet banorëve të asaj pjese të Kosovës, por edhe një simbolikë e veçantë. Ura është komunikim, është lidhje, është hapje. U ndjeva mirë që isha atje. Është një investim në shtetin tim”, ka shkruar Mustafa. “Kjo është esenca e ngjarjes”, sipas tij.
Më parë, ai tha se nuk e ka penguar askush rrugëtimin e tij. Por në statusin e tij në Facebook flet indirekt edhe për minatorët serbë që ia zunë rrugën.
“Nëse dikush ka tentuar ta pengojë këtë inaugurim, atëherë ata që kanë tentuar do të kenë mbetur mjedis rruge, kurse unë si Kryeministër isha në kohën e duhur në inaugurimin e urës”, ka thënë Mustafa, teksa ka vazhduar me komentim të punës së medieve, siç ka bërë edhe në të kaluarën.
“Është e mundur, por edhe e çuditshme, që disa mediumeve tona u pëlqen më shumë një deklaratë fëmijaqe e një politikani serb dhe ajo për ta është më e rëndësishme sesa prezenca jonë në ngjarje të tilla. Por, kjo nuk është e gjitha. E vërteta flet se qarqe të caktuara serbe po tentojnë ta mbajnë peng këtë pjesë të Kosovës. Prandaj nuk kanë nevojë që të kenë në krah edhe ndonjë medium të Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Në fund Mustafa ka thënë se “çdo rrugë në Kosovë është e jona, e me rëndësi është të arrijmë atje ku synojmë”. /Insajderi.com