Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim gjeneralin Wesley Clark, ish-komandant suprem i NATO-s gjatë Luftës së Kosovës, i cili vazhdon të mbetet një mik i ngushtë dhe përkrahës i popullit dhe shtetit të Kosovës.
Gjenerali Clark, i shoqëruar nga i biri dhe disa bashkëpunëtorë ndërkombëtarë, u interesua për planet zhvillimore të Kosovës, veçanërisht në këtë periudhë ndryshimesh dhe mundësish të mëdha në botë. Gjatë diskutimeve, ata folën për përparimin që ka bërë Kosova, zhvillimet aktuale në rajon dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Kryeministri Kurti e falënderoi gjeneralin Clark për interesimin e tij të vazhdueshëm për zhvillimet në Kosovë dhe për kontributin e jashtëzakonshëm që ai ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke theksuar mirënjohjen e thellë që populli kosovar ka ndaj tij.
Në këtë takim, kryeministri Kurti ishte shoqëruar nga Shefi i Stafit të tij, Luan Dalipi, dhe zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku.