Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, e ka autorizuar Ferat Shalën që t’i ushtrojë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e ministrit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Këtë rrugë e hapi kur ministri Ferid Agani kërkoi nga kryeministri që ta lirojë nga detyra derisa ai të shpallet i pafajshëm në procesin ku ai po akuzohet për shpërdorim të detyrës zyrtare në kohën sa ishte ministër për Shëndetësi.
“Z. Ferat Shala autorizohet të ushtroj detyrat dhe përgjegjësitë e Ministrit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pas dorëheqjes së z. Agani nga posti i Ministrit”, thuhet në vendimin e Qeverisë për autorizimin e Shalës.
Ferat Shala është zëvendësministër në MMPH. Ai udhëhiqte drejtorinë e kundër-zbulimit asokohe në Shërbimin Informativ të Kosovës (ShIK).
Në fakt, ministri Agani kishte kërkuar nga kryeministri që ta lirojë nga detyra deri në një vendim të prerë të gjykatës.
“I nderuari z. Kryeministër, duke pas parasysh ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria e Shtetit ndaj meje; i bindur në pafajësinë time të plotë përkitazi me çështjen që është subjekt i aktakuzës; në pajtim me parimin e qeverisjes së pastër pa asnjë dyshim në bartësit e funksioneve publike; dhe i përkushtuar që drejtësia të kryejë punën e saj në mënyrë të papenguar, kërkoj nga Ju që të më lironi nga detyra e Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor deri në momentin e shpalljes së pafajësisë sime të plotë”, shkruante në tekstin që ministri Agani ia kishte dërguar kryeministrit, i cili në mbledhjen e Qeverisë e kishte aprovuar këtë kërkesë.
Kurse vendimi që doli i nënshkruan nga kryeministri, askund nuk përmendet fjala ‘lirim nga detyra’, por ‘dorëheqje’. Madje në po këtë vendim askund nuk përmendet afati kohor se deri kur Ferat Shala mund t’i ushtrojë detyrat dhe përgjegjësitë e ministrit.
Vlen të përmendet se Partia e Drejtësisë, e cila drejtohet nga Ferid Agani, kishte hyrë në koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës, dhe si rezultat i saj, PD-ja e mori postin e ministrit të MMPH. Në të vërtetë, kjo ishte fuqia e vetme që PD-ja e kishte në Qeveri, kurse tash ajo nuk ka asnjë post, të paktën funksionalisht.
Insajderi ka kontaktuar Labinotë Demi-Murtezi – deputete e Partisë së Drejtësisë. Ajo u habit kur mori vesh nga Insajderi për vendimin e Qeverisë.
Ajo tha se tash për tash nuk kanë qëndrim rreth kësaj çështjeje.
“Sinqerisht prej jush po dëgjoj që qenka marrë një vendim i tillë. Ne nuk kemi kurrfarë vendimi të Qeverisë që tregon se Ferat Shala është emëruan”, ka thënë Demi-Murtezi.
E pyetur nga Insajderi nëse kjo i bie që Partia e Drejtësisë tashmë është e larguan nga koalicioni, gjëgjësisht nga Qeveria, ajo tha se do ta informojë partinë dhe do t’i diskutojnë këto zhvillime.
Ky vendim i Qeverisë edne nuk është publikuar në ueb-faqen e Kryeministrisë. Në faqen zyrtare të Ministrisë ende figuron Ferid Agani si ministër./Insajderi.com