Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë se muri në veri të Mitrovicës do të rrënohet. Ai ka thënë se heqja e tij është përgjegjësi e komunës për shkak se është në territorin e saj.
Nëse këtë nuk e bën komuna, kryeministri ka thënë atë do ta rrënojnë institucionet tjera të Kosovës.
“Edhe muri do të rrënohet. Është detyrë e Komunës që ta rrënojë murin, sepse është objekt që është në përgjegjësinë komunale. Por në qoftë se Komuna nuk e bënë, është përgjegjësi e organeve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës që ajo të ndodh”, ka thënë kryeministri Mustafa.
Ai ka thënë se nuk ka të drejtë askush që të ndërtojë mure ndarëse në Kosovë, e cila për synim e ka bashkimin me BE-në dhe jo ndarjen.
“Nuk ka të drejtë askush që Kosovën ta ndaj me mure, apo që të getoizojë një pjesë të Kosovës përmes mureve, sepse qëllimi ynë është që ne të anëtarësohemi në BE dhe jo të ndërtojmë mure brenda BE-së”, tha ai./Insajderi.com