Shpella e Kusarit, ajo e Gadimes, Drini i Bardhë, Kalaja e Prizrenit, Gryka e Rugovës, Liqenet e Mirushës dhe Ulpiana janë vetëm disa nga pikat turistike që frekuentohen shpesh nga vizitorët në Kosovë. Nëpërmjet vëzhgimit që iu është bërë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në rrjetet sociale (Facebook, Twitter dhe Instagram) është vërejtur se shefi i ekzekutivit sivjet asnjëherë nuk ka përmendur zonat e lartpërmendura turistike, e as që i ka vizituar ato. Megjithatë, ishte ai që dje tentoi ta “kontrabandonte” rritjen e numrit të vizitorëve të Kosovës për muajin qershor.
Duke shpërndarë të dhënat e ASK-së, Kurti thoshte se këtë qershor numri i vizitorëve në Kosovës ishte 30 për qind më i lartë sesa vitin e kaluar. I njëjti, madje thoshte se ka rritje të numrit të vizitorëve, shkruan Gazeta Insajderi.
“Këtë qershor numri i vizitorëve në Kosovë ka qenë gati 30% më i lartë se në muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Vizitorët përfaqësojnë anëtarët tanë të diasporës dhe një numër gjithnjë në rritje turistësh që kërkojnë të eksplorojnë bukuritë dhe kulturën e vendit tonë”, deklaroi ai në ‘Twitter’.
This June the number of visitors to Kosova has been almost 30% higher than in the same month last year. The visitors represent our members of the diaspora & an ever-increasing number of tourists looking to explore the beauty and culture of our country. https://t.co/FWa2DYwZrm
— Albin Kurti (@albinkurti) July 30, 2023
Gazeta Insajderi ka analizuar postimet e këtij viti të kryeministrit Kurti në rrjetet sociale sipas shpeshtësisë së aktivitetit të shefit të Qeverisë. Në rrjetin social ‘Twitter’, në të cilin Kurti shkruan në gjuhën angleze dhe ka për target audiencën e huaj, në vetëm një postim ka shpërndarë fotografi të bukurive natyrore kosovare për Ditën e Tokës.
Kurti në këtë postim bën thirrje për ruajtjen e natyrës, mirëpo jo edhe ftesë që të vizitohen këto zona turistike në Kosovë.
“Gëzuar Ditën e Tokës! Le të na kujtojë kjo ditë urgjencën e bashkimit të forcave me aleatët tanë, në një angazhim të palëkundur për një të ardhme më të gjelbër dhe më të qëndrueshme. Ruajtja e bukurisë së planetit kërkon që ne të punojmë së bashku për ta mbrojtur atë për brezat që vijnë”, ka deklaruar Kurti në këtë postim, të datës 22 prill të këtij viti.
Happy Earth Day! Let this day remind us of the urgency of joining forces with our allies, in an unwavering commitment to a greener and more sustainable future. Preserving the beauty of the planet requires that we work together to protect it for generations to come. pic.twitter.com/WDgCEBXVqV
— Albin Kurti (@albinkurti) April 22, 2023
Ndryshe nga ‘Twitter’, në rrjetin social ‘Facebook’ Kurti ka të publikuara disa aktivitete që promovojnë trashëgiminë kulturore dhe fetare. Në një postim të 3 korrikut, ai njofton për restaurim në tri kisha dhe tri manastire.
“Partneriteti ynë me Bashkimin Evropian dhe UNDP në Kosovë me rezultate të prekshme në fushën e trashëgimisë kulturore dhe fetare. Në kuadër të programit të përbashkët mes MKRS, BE dhe UNDP, së fundmi kanë përfunduar ndërhyrjet restauruese në tri kisha dhe manastire ortodokse, asete të Kishës Ortodokse Serbe që mbrohen me ligjet e Republikës së Kosovës. Manastiri i Qelisë (Burgut) dhe Kisha e Dëftimit të Shën Mërisë në Kamenicë dhe Manastiri i Dragancës në Novobërdë, pas ndërhyrjeve që janë financuar nga BE-ja, do të vazhdojnë t’u shërbejnë besimtarëve ortodoksë, komunitetit të gjerë dhe turistëve”, shkruan i pari i ekzekutivit.
Një aktivitet i promovimit kulturor është realizuar më një korrik të këtij viti nga Kurti në Prizren. Në këtë aktivitet, kryeministri realizon vizita në Hamamin e Prizrenit, tek monumenti arkeologjik atje dhe në koncertin “Harmonia e Kulturave”.
Aktivitete për promovimin e bukurive natyrore në Kosovë, të cilat rekomandohen nëpër uebfaqe këshilluese për vizitorët, nuk është shënuar asnjë nga ana e shefit të Qeverisë. Disa nga zonat turistike që rekomandohen për vizita janë si vijojnë: Shpella e Kusarit, ajo e Gadimes, Drini i Bardhë, Kalaja e Prizrenit, Gryka e Rugovës, Liqenet e Mirushës, Ulpiana etj.
Ish-krerët institucionalë të Kosovës vepronin ndryshe nga Kurti. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi promovonte Shpellën e Gadimës, Parkun e Gërmisë, punën e grave të Krushës së Madhe, Minierën e Trepçës etj.
Njësoj vepronte edhe Ramush Haradinaj përgjatë periudhës sa ishte kryeministër, ku ndante fotografi nëpërmjet aktiviteteve të tij drejt promovimit të bukurive natyrore.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë tha dje se është rritur numri i vizitorëve në Kosovë.
Në njoftim u tha se “numri i përgjithshëm i vizitorëve në Republikën e Kosovës gjatë muajit qershor të këtij viti ka pasur rritje prej 29%, krahasuar me qershorin e vitit të kaluar”.
Ministria vijoi duke shtuar se në total 29 317 vizitorë të huaj, nga të cilët numri më i madh është nga: Shqipëria, Gjermania, Turqia, Zvicra etj.
Duke tentuar t’i kontrabandojë meritat për qeverisje të mirë, njoftimi i MINT-it përfundon duke thënë “Kosova, gjithnjë e më atraktive për turistët”. /Insajderi.org/