×
  • Lajme
  • Analiza

    Kryeministri s’e di që paratë e mbledhura në Fondin e Sigurisë janë “konfidenciale”, thotë kërkojeni shumën në ministri të Financave

    Insajderi
    25 March 2022 - 19:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Paratë e mbledhura në Fondin e Sigurisë janë “konfidenciale”, sipas shtetit. Duket se kryeministri nuk ka qenë në dijeni për këtë fakt, pasi ka sugjeruar që “për shifrën e saktë të drejtoheni në ministri të Financave”.

    Gazeta Insajderi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur disa herë për Fondin e Sigurisë, që është hapur në fillim të këtij muaji.

    Gjatë deklarimeve Kryeministri nuk ka saktësuar asnjëherë shifrën e saktë, duk përmendur vetëm donatorët  që javë pas jave janë rritur nga “katërshifror, në shtatëshifror”, sipas gjuhës së tij.

    “Për shifra të sakta mund t’i drejtoheni Ministrisë së Financave, Punëve dhe Trasnsfereve”, kishte thënë Kurti, më 3 mars, shkruan Gazeta Insajderi.

    Gazeta Insajderi e ka kërkuar shifrën e saktë nga dikasteri i ministrit Hekuran Murati, ashtu siç ka referuar kryeministri Albin Kurti, por as ministria nuk e ka zbardhur shifrën e parave të mbledhur, me një arsyetim “të rëndësishëm”.

    “Të dhënat dhe detajet tjera për shumën e mjeteve të grumbulluara në Fondin e Sigurisë janë të klasifikuara si konfidenciale, bazuar në vlerësimet profesionale, për shkaqe të aspekteve të sigurisë shtetërore, në pajtim me Ligjin Nr. 03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Financave për Gazetën Insajderi, informacion ky, të cilin duket se kryeministri s’e ka pasur ose ditur, pasi vetë ka sugjeruar që informata për fondet e mbledhura, të kërkohet në këtë ministri.

    “Sidoqoftë, ju sigurojmë se mjetet e mbledhura në llogarinë e Fondit të Sigurisë janë transparente dhe në dispozicion për autoritetet shtetërore që kanë të drejtë të qasjes, ndërsa do të shpenzohen vetëm për qëllimin për të cilin është krijuar Fondi”, siguron ministria e Muratit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Qeveria e Republikës së Kosovës me 1 mars themeloi Fondin e Sigurisë së Kosovës.

    Kurti kishte thënë se mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria.

    “Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”, kishte thënë Kryeministri, shkruan Gazeta Insajderi.

    FSK-ja është në proces të transformimit në Ushtri të Kosovës.

    Më 14 tetor, 2018, Kuvendi i Kosovës votoi tri ligje, përmes së cilave u mundësua ky transformim.

    Me këtë veprim FSK-së iu dhanë kapacitete ushtarake përmes një procesi të gjatë të transformimit.

    Kapacitetet e FSK-së kryesisht u rritën përmes donacioneve të mjeteve ushtarake nga SHBA-ja dhe shtete tjera, mirëpo së fundi Kosova ka kontraktuar edhe blerjen e disa dronëve amerikanë, si dhe automjeteve të tjera ushtarake./Gazeta Insajderi/

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark