“Operatorin publik e nxorëm nga humnera”, kështu u shpreh sot kryeministrit Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë teksa po fliste për Telekomin e Kosovës, shkruan Insajderi.
Sipas tij Telekomi i Kosovës çdo ditë po i modernizon shërbimet e për këtë meritat ia ka lënë Qeverisë që udhëheq.
“Zhvillimi i sektorit të komunikimeve elektroteknike po merr hov të ri. Në shkallë regjioni, Kosova ka shtrirjen më të madhe të internetit në amvisëri dhe biznese. Duke e mbështetur me kredi, operatorin publik e nxorëm nga humnera dhe po e udhëheqim drejt zhvillimit. Telekomi i Kosovës në partneritet me gjigantët teknologjikë nga Suedia e Kroacia po i modernizon shërbimet 4G dhe 5G në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë mund të shihni njoftimet nga Telekomi për modernizimin e shërbimeve të Valës në të gjitha komunat, përfshirë ato veriore si rezultat i investimeve të cilat po bëhen”, ka thënë ai.
Kurti madje pretendon se zhvillimi i Telekomit ka prodhuar efekte pozitive edhe në sektorin privat.
“Operatori privat po e zgjeron rrjetin. Nga kjo konkurrencë përfitojnë qytetarët dhe bizneset”, tha kryeministri.