
Për Isa Mustafën, kryeministër i Kosovës, anulimi i protestës nga ana e opozitës është një veprim i drejtë.
“Vendimi i opozitës për të mos protestuar nesër, nuk flet për pasje apo mospasje të krizës,para së gjithash flet për arsyet që opozita i vlerëson për të menaxhuar me veprimet e saj”, ka shkruar kryeministri në profilin e tij në Facebook.
Sipas tij, në Kosovë ka demokraci. Për këtë ka marrë shembull faktin sesi gjatë vizitës në Komunën e Malishevës, një grup prej 7-8 të rinjsh para selisë së VV në këtë qytet, kanë shprehur pakënaqësinë për vizitën e tij aty.
“Një ambient i tillë, sot, nuk mund të përkufizohet ndryshe, përveç se si një mrekulli e demokracisë. Kësaj demokracie tonë të re kosovare. Prandaj pohimet se Kosova është në krizë, janë dashakeqe”, ka shkruar Mustafa.
Ai ka treguar se në Malishevë është takuar me kryetarin e këtij qyteti, që vjen nga Nisma për Kosovën, me të cilin ai ka thënë të ketë biseduar për shumë çështje që e preokupojnë këtë mjedis.
“Për mënyrën se si të punojmë bashkërisht për të zgjidhë problemet me të cilat po ballafaqohen qytetarët e kësaj komune, që janë qytetarë tanë”, ka shkruar Mustafa.