Kryeministri Isa Mustafa, përmes një reagimi rreth mocionit të mosbesimit, që u iniciua nga opozita, e të përkrahur edhe nga disa deputetë të PDK-së, ka thënë se qeverisë së tij nuk duhet t`i faturohen keqperdorime që janë bërë në qeveritë e kaluara, duke aluduar në ato të PDK-së.
“Kam pritur se Mocioni i opozitës do të përmbajë diçka që kemi punuar keq apo s’kemi punuar atë që kemi premtuar. Por, se kësaj Qeverie do të tentohet t’i adresohen keqpërdorimet, vjedhjet, abuzimet e aferat me të cilat asnjë vendim dhe anëtar i kësaj Qeverie s’ka të bëjë, nuk kam pritur!”, shkruan Mustafa.
Përmes këtij reagimi Mustafa, ka përmendur edhe aferën e pasaportave, ku shteti i Kosovës ka humbur 5 milionë euro, aferë e cila kishte ndodhur në ministrinë e Brendshme të drejtuar nga ish ministri Bajram Rexhepi.
“Asnjë mocion kundër Qeverisë nuk i shpëton ata që mendojnë të plaçkisin 30 milion euro nga Telekomi i Kosovës, ata që ia bënë shtetit faturën e pasaportave mbi 5 milion euro apo ata që shpresojnë se do ta plaçkisin shtetin edhe përmes Axosit, nëse kjo Qeveri bie”, tha Mustafa.