Isa Mustafa i ka quajtur “banditë dhe bosë të kazinove” zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kur u është përgjigjur akuzave të kësaj partie, se ai “është shndërruar në Shef të Makinerisë së Rrenave”.
Kryeministri ka thënë se vendi ka filluar të frymojë lirshëm prej reketuesve e banditëve prandaj po ka zvogëlim të papunësisë e rritje ekonomike.
Partia e Ramush Haradinaj e ka krahasuar sot kryeministrin Isa Mustafa me “Shefin e makinerisë së renave”. Këtë epitet ia ka dhënë Avni Arifi, Këshilltar i Ramush Haradinajt dhe Kryetar i Degës së kësaj partie në Prishtinë.
Duke komentuar deklarimet e Kryeministrit se në Kosovë ka rritje ekonomike, Arifi ka thënë se Isa Mustafa s’po duket si Kryeministër por po merr role tjera.
“Kur flet Isa Mustafa për rritje ekonomike dhe zvogëlim të papunsisë krijon bindje se është shef i Makinerisë së Rrenave e jo Kryeministër”, ka thënë Arifi.
Mirëpo, kryeministri Mustafa përmes një ragimi në Facebook, i ka quajtur kokëboshë e banditë kritikuesit e tij, duke thënë se dikujt edhe po i pengon progresi në Kosovë.
“Rritjen ekonomike të Kosovës prej 4% vitin e kaluar dhe mbi 4% këtë vit, që është më e larta në Evropë, si dhe uljen e papunësisë nga 35.3% në vitin 2014 në 26.2% këtë vit, e konstatojnë institutet relevante. Jo Kryeministri!
“Kokëboshëve e banditëve mund tu pengojë progresi i Kosovës. Sa më shumë që kemi progres aq më pak do të ketë hapësirë për mashtrues që vjelin të varfërit. Vendi ka filluar të frymoj lirshëm nga bosët e kazinove dhe reketit, nga sekserët dhe ryshfeti. Prandaj ka zhvillim!”, ka reaguar Mustafa.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se trendi i uljes së papunësisë në Kosovë ka ardhur si rezultat i rritjes ekonomike.
“Shkalla e papunësisë në Kosovë, 26.2%. Më e ulëta në pesë vitet e fundit. Janë këto rezultate të dala nga Anketa e Fuqisë Punëtore, për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, të kryer nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, i kumtuar nga ministri Abrashi”, ka shkruar Mustafa në Facebook. /Insajderi.com