Kryetari i Parlamentit turk, Ismail Kahraman kërkoi që vendi të ketë një kushtetutë islamike, me argumentin se Turqia është shtet mysliman dhe se laicizmi nuk i nevojitet.
Komentet e tij, Kahraman, anëtar i partisë në pushtet AKP të presidentit Rexhep Tajip Erdoan, i bëri gjatë një konference të organizuar në Stamboll me akademikë dhe autorë nga vende të ndryshme islamike.
“Ne jemi një shtet mysliman dhe për këtë arsye na duhet një kushtetutë fetare. Nuk ka asnjë arsye përse duhet ta distancojmë ne veten nga feja”, deklaroi Kahraman.
Duke u ankuar për faktin që ndryshe nga vendet e tjera të Lindjes së Mesme, fjala “Allah” nuk përmendet në variantin aktual të dokumentit themeltar asnjë herë, politikani i AKP-së u përpoq të tregonte se kushtetuta në fakt nuk është laike dhe se parashikon një numër të madh festash e mësimesh fetare.
Për vetë Erdoanin, kushtetuta më e preferuar do të ishte ajo që do të rriste fuqitë e tij si president.
Lideri i opozitës, Kemal Kilicdaroglu e dënoi ashpër deklaratën e kreut të Parlamentit me argumentin se, laicizmi me të cilin e ngriti kombin babai i Turqisë moderne, Qemal Ataturk, është i një rëndësie kyçe për të siguruar lirinë e besimit, njofton Top Channel.
Kaosi në Lindjen e Mesme, tha ai për gjermanen “Der Spiegel”, është rezultat i politikave të instrumentalizimit të fesë.
Turqia është duke negociuar aktualisht anëtarësimin në BE dhe është partnerja më e madhe e bllokut në marreveshjen e risistemimit të emigrantëve të nisur nga Siria drejt Europes.