Pas akuzave publike kundër kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, nga i pandehuri Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Zyra e Kryeprokurorit të shtetit ka dërguar një sqarim për medie.
“Kundër të akuzuarit janë duke u zhvilluar dy procedura penale: njëra për shpërdorim të detyrës zyrtare, tjetra për falsifikim të dokumentit zyrtar, të dy vepra këto që ndërlidhen me kapitullin e veprave penale që kanë të bëjnë me korrupsionin zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare”, shkruan në reagimin e Kryeprokurorit të Shtetit.
Lexojeni të plotë
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit konsideron se ky komunikim i të akuzuarit me kryeprokurorin e Shtetit, kryetarin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit dhe gjyqtarin e Gjykatës Supreme të Kosovës është i paprecedent dhe i papranueshëm, gjë që tregon qartë se i akuzuari ka humbur durimin për tu përballur me akuzat në gjykatë dhe po tenton të denigrojë punën sistemit prokurorial me shkrimin e tij, duke përmendur në të njëjtin shkrim 26 herë emrin e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, shkrim i cili përmban insinuatë të rënda dhe dyshime abstrakte që duket kanë për qëllim frikësimin dhe kërcënimin e bartësve të funksioneve prokuroriale dhe gjyqësore.
Shpifjet e fundit të përsëritura disa herë dëshmojnë se forcat e errëta dhe kundërshtarët e shtetit ligjor nuk janë dorëzuar, kjo tregon për vendosmërinë e tyre që të vazhdojnë me sulme dinake dhe me shpifje për të penguar forcën e ligjit në luftën kundër tyre dhe krimit të organizuar në përgjithësi.
Kundër të akuzuarit janë duke u zhvilluar dy procedura penale: njëra për shpërdorim të detyrës zyrtare, tjetra për falsifikim të dokumentit zyrtar, të dy vepra këto që ndërlidhen me kapitullin e veprave penale që kanë të bëjnë me korrupsionin zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare. Njëra lëndë ishte e inicuar nga Shërbimi Policor i Kosovës, kurse tjetra nga denoncimi i ish Avokatit të Popullit të Kosovës, vepra penale këto që ndiqen sipas detyrës zyrtare për të cilat organet publike janë të detyruara të informojnë Prokurorin e Shtetit.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, nuk është marrë me asnjërin rast ku i dyshuar dhe tani i akuzuar është Enver Hasani. Hetimet kundër tij kanë filluar të zhvillohen në kohën derisa ai ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Në atë kohë kryeprokurori Lumezi ishte duke kryer detyrën e kryeprokurorit të Apelit e që nuk kishte kompetencë ligjore për ndjekje penale.
Duke kryer funksionin kushtetues dhe ligjor çdo ditë ballafaqohemi me njerëz dhe personalitete të ndryshme kundër të cilëve zhvillohen hetime dhe ngriten aktakuza. Të gjithë ata sillen në mënyrë të zakonshme duke u ballafaquar me drejtësinë.
Nëse në gjykimin e tij i akuzuari nuk mund të jetë një individ i sinqertë, do të ishte mirë të jetë i ndershëm në prononcimet e tij dhe të mos lejojë që me paramendim të bëhet i pandershëm.
Kjo çfarë është duke bërë i akuzuari me shkrimet e tij është të tallesh me vetëvehten, si duket ka ra në kurth duke besuar dhe duke u përshtatur kërkesave të atyre që dëshirojnë ta shohin të dështuar sundimin e ligjit në vendin tonë.
Shtrohet pyetja se pse bëhet ky denigrim nga i akuzuari për bartësit e institucioneve të drejtësisë me kaq zhurmë dhe pompozitet? Arsye tjetër nuk ka, përpos tentativave për t’iu shmangur përgjegjësisë penale edhe për të krijuar zhurmë si një garanci më shumë për të akuzuarin e vërtetë.
Njerëzit që ballafaqohen me drejtësinë duhet të kenë durim në kuptimin evropian dhe gjithashtu duhet t’iu ipet kohë e mjaftueshme për pendim në mënyrë që të ngriten mbi zemërimet personale. Energjia e humbur duke denigruar të tjerët pa bazë është kohë e shpenzuar duke ecur prapa. Edhe në këtë rast është një orvatje e panjerëzishme për të mbajtur tjetrin poshtë vetes.