Kryeprokurori i Shtetit i konsideron të pandershme deklaratat e kardiologëve - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeprokurori i Shtetit i konsideron të pandershme deklaratat e kardiologëve

    Insajderi
    25 June 2016 - 15:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria e Shtetit sot ka dërguar një sqarim për medie, duke thënë se letra e kardiologëve që po tenton të denigrojë Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për shkak të ngritjes së aktakuzës ndaj tyre, është e pandershme.

    Aty thuhet se prokuroria ka ushtruar funksionet e saj si e pavarur dhe si e paanshme duke siguruar trajtim të barabartë.

    Kjo vjen pasi që Kolegji i Klinikës së Kardiologjisë, dje nëpërmes një letre të hapur, ndër të tjera ka thënë se akuzat ndaj tyre nuk përputhen me realitetin dhe se janë të padinjitetshme, padrejta, duke shtuar se prokuroria është bazuar në “thashetheme”

    “Për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton se Prokurori i Shtetit është institucion i pavarur kompetent dhe përgjegjës për ndjekjen e personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale, pa marrë parasysh pozitën e tyre në shoqëri. Si në çdo rast tjetër, edhe në rastin ku janë akuzuar disa kardiolog, prokuroria ka ushtruar funksionet e saj në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, duke siguruar trajtim të barabartë, objektiv dhe pa paragjykime për të gjithë të pandehurit”, thuhet nga Prokuroria e Shtetit.

    Nëpërmes kësaj kumtese thuhet se deklaratat e kardiologëve janë të pandershme.

    “Prokurori i rastit dhe jo kryeprokurori i Shtetit, siç është deklaruar në letrën e hapur të kardiologëve, pasi që ka siguruar prova të mjaftueshme se janë kryer vepra penale, duke vepruar në përputhje me kompetencat që ka, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 64 të pandehurve. Deklaratat e tilla, të cilat janë drejtuar gjithashtu edhe tek pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv, prokuroria i konsideron të pandershme sepse në sisteme demokratike drejtësia ndahet vetëm në gjykata dhe kush e kupton ndryshe është në keqkuptim të madh me ndarjen e pushteteve”, shtohet më tej, teksa Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit siguron opinionin publik se veprimet e tilla nuk do të ndikojnë në punën e pavarur dhe të paanshme të prokurorëve të shtetit.

    Në fund thuhet se të pandehurit nuk duhet të frikësohet, sepse gjykimi dhe peshimi i provave duhet t’i lihet vetëm gjykatësve.

    “Asnjë i pandehur nuk duhet t’iu nënshtrohet presioneve nga individ të caktuar dhe për më tepër, të pandehurit nuk duhet të ndihen të frikësuar nga institucionet e drejtësisë, përkundrazi të njëjtit inkurajohen që të bashkëpunojnë me këto institucione, duke kontribuar në zhvillimin dhe përfundimin e drejtë të procedurës penale në gjykatë. Gjykimi dhe peshimi i drejtë i provave duhet t’i lihet vetëm gjykatës”. /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark