Kryeredaktori i Radio Televizionit të Kosovës, Ridvan Berisha, i është përgjigjur një kërkese të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për organizimin e një interviste me kryetarin e kësaj partie, Visar Ymeri.
Berisha ka bërë të ditur se nuk do ta ftojë në intervistë kryetarin e kësaj partie, Visar Ymeri, për shkak të akuzave ndaj transmetuesit publik. Ai ka thënë se e ka të pamundur të realizojë intervistën me Ymerin, raporton Insajderi.
Militantët e Vetëvendosjes kanë treguar se kishin kërkuar nga RTK-ja që lideri i tyre të jetë prezentë në një intervistë. Madje, në dy komunikata kanë treguar se kanë kërkuar të shkojnë edhe te emisioni “Debat” i Ridvan Berishës, por s’kanë marrë konfirmim pohues.
“Po qysh mundeni me kërku prej meje intervistë me Visar Ymerin kur vazhdimisht më definoni si gazetar ‘regjimi’, e aktivisht kultivoni relacion shtrëngues ndaj meje, ndërtoni propagandë për konsum tuajin politik në dëm të RTK”, ka thënë Berisha në reagimin e tij.
Berisha iu ka bërë të ditur aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje “se ka edhe disa emisione të tjera në RTK ku mundeni t’i shfaqni pikëpamjet tuaja”.
“Përpjekja juaj me e trajtu intervistën me Ymerin si befasi e si ekskluzivitet në asnjë mënyrë nuk qëndron. Ky nuk paraqet lajm për RTK dhe shikuesit tanë”, ka pëfunduar Berisha. /Insajderi.com