
Kryeministri Albin Kurti nuk po i ndahet xhipave të zinj përgjatë vizitave në kuadër të fushatës elektorale nëpër komuna të ndryshme. Madje, prezenca e tyre s’po është e paktë. Kështu u pa sot edhe në Mitrovicën e Jugut.
Lidhur me këtë ka reaguar gazetari Parim Olluri, i cili kujtoi një parullë të dikurshme të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me xhipat luksozë, shkruan Insajderi.
“Na ishte njehere nje parti qe fliste kunder xhipave. Tash Albin Baba vec qe s’po ju hin njerezve edhe neper shpia me 10-15 xhipa“, deklaroi Olluri.
Lëvizja Vetëvendosje kishte aversion ndaj xhipave të zinj qeveritarë. Për një të tillë, aktivistë të VV’së kritikonin ashpër ish-kryetarin e Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajlin, për një xhip që i kishte kushtuar 50 mijë euro.
Para 13 vitesh, aktivistë të VV’së i luteshin Xhemajlit ta shiste xhipin në prag të festave të fundvitit dhe t’i ndihmojë familjet në nevojë.
“Jemi në prag të Festës së Krishtlindjeve dhe Festës së Vitit të Ri. Ju jeni në dijeni që komuna jonë është prej dy komunave me numrin më të madh të qytetarëve që jetojnë në varfëri të skajshme.
Në këto kushte të vështira ekonomike për shumicën e qytetarëve të komunës sonë, ju ngisni një makinë e cila ka një vlerë prej afro 50 mijë eurove, në kohën kur shumica e qytetarëve të Kosovës ngasin makina të cilat kanë një vlerë mesatare prej 2500 eurosh… Blijeni një makinë e cila nuk kushton më shumë se 10 000 euro. Me të hollat e mbetura mund të ndihmoni jetesën e më së paku 10 familjeve në komunën tonë“, thuhej në komunikatën e atëhershme të VV’së. /Insajderi.org/