Në mëngjesin e hershëm të ditës së sotme është thyer vetura e kryetares së Gjakovës Mimoza Kusari- Lila.
Vetura e saj ka qenë e parkuar në Parkun e Gërmisë përderisa ajo po kryente vrapimin e përditshëm në atë park. Këtë e ka konfirmuar vetë ajo përmes një postimi në facebook.
“Java edhe mund të fillojë me thyerje dhe vjedhje të makinës, por aktiviteti nuk ndalet”, ka shkruar ajo.
Siç duket, ky akt nuk e ka ndërmend ta ndalë atë në aktivitetet e saj të përditshme. Madje, ajo u ka thënë ‘hajnave’ se nesër sërish mund ta takojnë në Gërmi.
“Hajna të kujtdo qofshi, nesër prapë te vendi shihemi. Vrapimi vazhdon! Jemi vrapues distancash, nuk ndalemi në vështirësitë e paparapara”, ka përfunduar ajo.