![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Në tri komunat e veriut, pritet që gjatë kësaj jave të përcaktohen datat për betimin e kryetarëve të rinj.
“Deri në fund të javës pritet që të bëhen publike datat për seancat tjera dhe betimin e kryetarëve, ne jemi në pritje të propozimeve nga kryetarët”.
“Ministri Elbert Krasniqi ka pasur takime të rregullta me katër kryetarët e zgjedhur dhe jemi në bashkërendim për përgatitjet e nevojshme dhe afatet ligjore siç parashihen me ligj”, thuhet në një deklarim të Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, shkruan Gazeta Insajderi.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ditë më parë tha se vendi i tij është i mendimit se nuk duhet të ketë përdorim të forcës për hapjen e komunave.
“Unë i kam bërë disa komente. Ne folëm për të njëjtën gjë. SHBA-ja mendon që kjo gjë duhet të përfundojë, duhet të shmangen konfliktet dhe veprimet që çojnë në rritjen e tensioneve në veri. Ne nuk mendojmë që është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat që mund të mos jenë të qasshme”, tha Hovenier, shkruan Gazeta Insajderi.
Por, kjo s’ishte porosia e vetme amerikane.
Për këtë çështje, SHBA pati edhe mesazhe të tjera bashkë me shtetet tjera të QUINT-it, Francën, Italinë, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar,
Në këtë deklaratë të QUINT-it, përveç thirrjes që të mos ketë veprime të përdorimit të forcës që do të rrisnin tensionet në Veri, gjithashtu u tha se nuk është e domosdoshme që kryetarët të betohen në hapësirat komunale.
“Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin kompetencave që janë më shumë se administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk ka kërkesë që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale”.
“Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, u tha në komunikatën e QUIN-it, shkruan Gazeta Insajderi.
Ndryshe nga MAPL, kryeministri Albin Kurti, nuk ka dhënë detaje të shtunën se kur mund të betohen edhe tre kryetarët e komunave në veri të vendit.
Ai ka thënë se duhet të pritet edhe disa ditë që të shihet nëse ndonjë parti serbe do të bëhet pjesë e qeverisjeve komunale.
Por e gjithë kjo sipas tij, nuk duhet të ndodh me forcë e dhunë, por me dashamirësi dhe me politikën që është në shërbim për të gjithëve pa dallim.
Kurti shprehet se Kosova e do kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, por edhe me partnerët është e interesuar që ruaj paqen edhe sigurinë, shkruan Gazeta Insajderi.
Nga katër kryetarët e zgjedhur më 23 prill, është betuar vetëm ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Ndërsa Izmir Zeqiri, Lulzim Hetemi dhe Ilir Peci kanë kohë deri më 28 maj ta japin betimin, në të kundërtën e humbasin mandatin.
Zgjedhjet në Veri u mbajtën më 23 prill, ndërsa rezultatet u certifikuan më 28 prill, teksa 28 maji u vendos si afati i fundit për ta dhënë betimin.