Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka kritikuar qeverinë e Kosovës dhe të Shqipërisë për mos mbështetje të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës. Në një intervistë për Gazetën Insajderi kritikat e tij kanë qenë të ashpra ndaj qeverisë Kurti dhe politikat që po i ndjek kjo qeveri për mirëqenien e shqiptareve të Luginës.
Kosova i kishte premtuar 2 milionë euro për Luginën e Preshevës, por ende nuk i ka ekzekutuar. Arifi thotë se mos ndarja e këtyre mjeteve po i dëmton shumë projektet që janë përgatitur atje dhe që parashihet të financohen nga këto mjete.
Ai fajëson njeriun e afërt me Albin Kurtin, ministrin Liburn Aliu që ka gisht në mos dhënien e këtyre mjeteve. Sipas tij, kjo po ndodh për shkak të lidhjeve familjare që Liburn Aliu ka me ish kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani. Arifi thotë se ai personalisht nuk mund të kontrollohet nga Qeveria Kurti duke pretenduar se ish-kryetarja, Ardita Sinani është kontrolluar.
“Asgjë, De Facto asgjë. De facto kemi atë që na presin në takime e bëjnë foto. As parat që na kanë premtu nuk na kanë dhënë ende. Dhe kjo është nga Liburn Aliu që është me ndikim në qeverinë Kurti mos me u dergu paratë që qytetarët e Kosovës kanë vendosur për t’i dërguar 2 milionë euro për Preshevën. Tre projektet tona të planifikuara nga këto mjete kanë stopuar. Tre projekte të shumë kërkuara nga qytetarët tonë”, deklaroi Arifi.
Madje sipas tij, as vetë kryeministri Kurti nuk e din mirë si është situate e shqiptarëve të Luginës.
“Shumë pak njerëz e din situatën reale të shqiptarëve në Luginë, as kryeministri Kurti nuk e din. Le të nuk ndihmojnë diçka po as nuk e dinë se çka po përjetojmë na këtu. Është fatkeqësi totale”, tha ai.
Kritikat më të ashpra të Arifit ishin lidhur me rastin e fundit ku u përfshin nga zjarret disa vatra në Luginë e nuk kishte marrë asnjë telefonatë nga dy qeveritë.
Ai thotë se është fatkeqësi kjo çka po përjetojnë shqiptarët e Luginës e nuk kanë asnjë mbështetje nga Kosova e Shqipëria.
Intervista e plotë e Shqiprim Arifit dhënë për Gazetën Insajderi:
Insajderi: Keni kritikuar qeverinë e Kosovës dhe Shqipërinë për heshtje dhe mos mbështetje të shqiptarëve të Preshevës pas përfshirjes nga zjarri të disa vatrave atje?
Shqiprim Arifi: Kjo neglizhencë që bëhet edhe në situate kur rrezikohet jeta e qytetarëve tanë këtu në Luginë të Preshevës e bënë të pakuptimtë mos reagimin çoftë një telefonatë ose një interes me kallxu për vendin tonë. Është një fatkeqësi që po e kalon vendi ynë tash e shumë vite. Është për keqardhje kur e sheh që Republika e Shqipërisë ka ndarë 1 milionë euro nga buxheti i saj për Ukrainën, s’po e kuptoj a duhet me ndodh edhe këtu një luftë e tani me reagua.
Insajderi: E republika e Kosovës a ka reaguar?
Shqiprim Arifi: Tash në kontekstin e zjarreve edhe Kosova si Shqipëria asnjë reaksion. Unë jam ndjekës i strategjive dhe nuk po shoh strategji nga këto dy shtet ndaj luginës së Preshevës. Kjo po është e dhimbshme.
Insajderi: Zgjedhja juaj ka ardh përmes Kuvendin Komunal. Para juve ka qenë një kryetare që Albin Kurti e ka taku dhe ka dashtë me ndihmu, a ka të bëjë ky fakt që largimi i dikujt le të themi që e ka favorizua Albin Kurti mund të ndodh kjo mos përkrahja e Kosovës?
Shqiprim Arifi: Qeveritë tjera kanë qenë më të kujdesshme mos me impliku subjektivitet apo gjendjen emocionale ndaj një personi të caktuar këtu. Në këtë kontekst qeveria Kurti ka dështu për arsye se është radhitur pas një zojë që në parti politike është e treta ose e katërta me radhë normalisht siç po e shoh unë ajo zonja ka qenë e kontrollueshme e unë nuk jam i kontrollueshme, ajo dihet, unë e them mendimin tim qysh është e nëse kjo është arsyeja qe janë radhit pas saj dhe ajo lidhja familjare që Liburn Aliu e ka kusherinë atë zojën at’herë është fatkeqësi për Kosovën.
Insajderi: Ju si shqiptarë të Luginës, a mendoni që jeni të përçarë në raport me Kosovën?
Shqiprim Arifi: Kur te vjen punët për çështje nacionale nuk jemi të përçarë, jemi të bashkuar. Ma shumë jeni ju të përçarë ju në Kosovë e Shqipëri se sa ne në Preshevë. Ne jemi të përçarë këtu në nivel lokal. Është një luftë që arsyetohet me tranzicionin politik.
Insajderi: Nuk po ju ndihmon në rastin e zjarreve, nuk po ju ndihmon në rastin e pasivizimit, në çka po ju ndihmon Kosova e Shqipëria?
Shqiprim Arifi: Asgjë, De Facto asgjë. De facto kemi atë që na presin në takime e bëjnë foto. As parat që na kanë premtu nuk na kanë dhënë ende. Dhe kjo është nga Liburn Aliu që është me ndikim në qeverinë Kurti mos me u dergu paratë që qytetarët e Kosovës kanë vendosur për t’i dërguar 2 milionë euro për Preshevën. Tre projektet tona të planifikuara nga këto mjete kanë stopuar. Tre projekte të shumë kërkuara nga qytetarët tonë
Shumë pak njerëz e din situatën reale të shqiptarëve në Luginë, as kryeministri Kurti nuk e din. Le të nuk ndihmojnë diçka po as nuk e dinë se çka po përjetojmë na këtu. Është fatkeqësi totale.
Insajderi: A keni ndonjë rrugë me i bind qeverinë e Kosovës me ju ndihmu?
Shqiprim Arifi: Detyra ime është me punu dhe me i vetëdisu qeverinë dhe me na fut në agjendën e dialogut dhe me na majt aty deri në përfundim të dialogut. Unë këtu jam kritik siç po e shoh drejtimin. Kur flasim për reciprocitet, do të duhej të ndalohet flamuri i Serbisë në Veri të Kosovës siç e kemi ne të ndaluar flamurin e Kosovës.
Këshilli Kombëtar shqiptar është një shpikje serbe. Këtë e ka themeluar Serbia jo ne. Këshilli nuk ka të drejta ekzekutive ka të drejta vetëm legjislative. Merret vetëm me katër fusha. Ky është dizajnuar sakat për mos me arrit suksese. Është për fatkeqësi që Këshilli Kombëtar shihet si një zgjidhje . Për mu është një budallaki totale se çfarë është duke bërë Kosova e Shqipëria në raport me Serbinë, Për mua është një çmenduri totale e nuk kanë asnjë logjikë. Ndërkombëtarët qeshin me neve. E Serbia sakt po din me dizajnu qasjen e politikës së saj në Veri të Kosovës.