Nuk po kanë të ndalur punësimet partiake e familjare në komunën e Alban Hysenit të Vetëvendosjes. Pasi u rehatuan të afërmit në arsim e shëndetësi, radha u erdhi pozitave për zyrtarë/e të ndryshme. Janë punësuar zyrtarë me kontratë mbi vepër, zyrtarë nga kabineti i kryetarit e aktivistë të VV’së. Insajderi ju sjell detaje të hollësishme të këtyre punësimeve.
Gazeta Insajderi
Komuna e Gjilanit e udhëhequr nga Alban Hyseni i VV’së, me 22 nëntor të këtij viti, ka shpallur rezultatet e konkurseve për pranimin e kandidatëve në Shërbimin Civil.
Në pozitën zyrtar për tatim në pronë është pranuar Diellza Lubishtani. Ajo ka mbledhur gjithsej 97 pikë, kështu duke dal edhe e para në listë.
Diellza Lubishtani, në vitin 2021 kishte kandiduar për asambliste në komunën e Gjilanit nga radhët e Vetëvendosjes.
Tutje në pozitën zyrtar për buxhet dhe financa është pranuar kandidatja, Albulenë Hajdari,
Albulenë Hajdari ka arritur 91 pikë, duke dal e para në listë.
Albulena Hajdari është aktiviste e Vetëvendosjes, madje sipas opozitës në Gjilan ajo më shumë se një vit është me kontratë mbi vepër.
Albulena Hajdari shihet se ka afërsi edhe me kryetarin Alban Hyseni. Ajo kishte ndarë disa herë foto me kryetarin.
Madje, Hajdari i ishte gëzuar mjaft shumë fitores së Alban Hysenit në Gjilan. Ajo më 15 nentor 2021 kishte ndarë një status ku shkruante:
“Pas fitores së madhe, shkëlqimi dhe lumturia po vërehet në fytyrat tona… Na priftë e mbara Gjilan, kryetari jonë Alban Hyseni”.
Punësimi i personave komunal dhe të afërt me pushtetin, nuk ka mbaruar me kaq.
Edhe dy kandidatë tjerë janë punësuar, në pozitën për zyrtar ligjor nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Flakron Rexhepi me 95 pikë dhe Driton Aliu me gjithsej 77 pikë.
Sipas opozitës në Gjilan, Flakron Rexhepi është zyrtar ligjor me kontratë mbi vepër, në kabinetin e Alban Hysenit.
Në mesin e të pranuarve është edhe Fikrete Bllaca Isufi.
Ajo ka mbledhur 92 pikë gjithsej duke e dal e para në listë.
Fikrete Bllaca Isufi, është motra e Arjeta Bllacës e cila punon në Drejtorinë për Shërbime Publike, Infrastrukturë dhe Banim në Gjilan.
Njëkohësisht Arjeta Bllaca është edhe aktiviste e VV’së në Gjilan.
Për të gjitha këto konkurse, ka afat 30 ditor për ankesa, në rast të kësaj ka mundësi që të anulohet konkursi, përndryshe kandidati-ja fituese, pranohet zyrtarisht në pozitën e cekur.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me komunën e Gjilanit, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Në komunën e Gjilanit tash e sa kohë është duke pasur reagime e akuza për punësime partiake e familjare. Balldëska e deputetit të VV’së, Luan Aliut, dhe bashkëshortja e aktivistit, njëkohësisht edhe fotograf i Alban Hysenit, janë ndër të punësuarit së fundmi në arsim në Gjilan. Gazeta Insajderi kishte raportuar rreth këtyre punësimeve. /Insajderi.org/