
Në vendin ku planifikohej të ndërtohej parku i qytetit në Shtime, po ndërtohet objekti shtatë-katesh në të cilin hisedar është vetë kryetari i kësaj komune Naim Ismajli.
Madje ai tash e një vit është edhe bashkëpronar i truallit, të cilin pesë vite më parë komuna vendosi ta kthejë në pronë publike.
Rrjedhimisht, kryetari Ismajli zonën me interes për shoqërinë e shndërroj në përfitim personal.
Bëhet fjalë për ngastrat me numër. Nr.1843-0 pronar i së cilës ishte Stakiç Mlladen (Trajka), me 12.55 ari, dhe tjetra me numër Nr.1845-0 e pronarit Stakiç Stojanka (E veja e Vladimirit) me sipërfaqe prej; 8.77 ari.
Parcelën me sipërfaqe prej afro 9 ari ai e bleu vjet për 60 mijë euro bashkë me dy persona të tjerë.
Në vitin 2012, Kuvendi Komunal, me 19 vota “Për”, dhe me 1 votë “Abstenim”, vendosi që t`i rekomandojë Drejtorisë për Planifikim Urban, Kadastër dhe Gjeodezi që: Në rast se këto dy parcela dalin në shitje nga pronarët e tyre, atëherë të njoftohet Kuvendi Komunal, për t`i shpallë zonë me interes të përgjithshëm, për të filluar procedura për shpronësim.
“…sepse Komuna e Shtimes është e interesuar që këto parcela t`i shpallë me interes të përgjithshëm, për ndërtimin e një parku gjelbërues për të rijnë, buzë lumit Shtimjanja”, thuhet në procesverbalin e mbledhjes së kuvendit 01/102, të datës 30.4.2012.
Ky propozim kishte ardhur nga grupi parlamentar i LDK-së dhe i përkrahur nga këshilltarët e tjerë komunal.
Por, ky institucion duket se me kalimin e kohës humb interesin për të ndërtuar park dhe i hap rrugë shitjes dhe ndërtimit të objektit banesor, shkruan Gazeta Fjala.
Kështu në prill të vitit 2015, këshilltarët komunal vendosin me 10 vota pro dhe një kundër, për anulimin e vendimit të mëparshëm për shprehje të interesit për t’i shpallur ngastrat zonë me interes të përgjithshëm.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli ka konfirmuar për Gazetën Fjala se është hisedar në tokën ku është duke u ndërtuar një kompleks banesor. Po ashtu ka bërë të ditur se atë hapësirë e kanë dhënë me koncesion për të fituar rreth 7 për qind nga ndërtimi.
Ismajli pretendon se nuk ka asgjë të jashtëligjshme në tërë këtë proces, por sipas tij politika është duke ndikuar që t’i behët presion.
“Procedurat janë krejt në rregull… Unë jam njëri nga blerësit, bashkë me një blerës tjetër. Këtu s’ka asgjë të keqe, nuk ka as konflikt interesi asgjë”, thotë Ismajli.
“Ajo nuk ka qenë pronë e komunës ka qenë e shpallur zone më interes në të kaluarën. Mirëpo prapë interesi i komunës nuk ka qenë, sepse thjeshtë vendimi kur është marrë është kanë çështje e kuvendit jo e kryetarit, kuvendi ka vendos ndryshe edhe ajo pronë u lirua”.