Polici i suspenduar, Nexhdet Bajrushi, është rikthyer në punë pas një vendimi të Komisionit për Ankesa të Policisë së Kosovës, të marrë më 15 nëntor. Ky vendim vjen pas ankesës së paraqitur nga avokatja Aurora Mulhaxha, që përfaqëson Bajrushin, kundër masës disiplinore të ndërprerjes së marrëdhënies së punës ndaj tij, shkruan Insajderi.
Bajrushi, që është pjesë e Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë, kishte qenë i suspenduar nga puna që prej muajit mars të këtij viti, pas akuzave për shkelje të ligjit dhe udhëzimeve administrative për procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës.
Vendimi për pezullimin e procedurës disiplinore ishte marrë nga Komisioni për Ankesa, duke u mbështetur në faktin se çështja ishte ende në shqyrtim nga një gjykatë kompetente dhe aktgjykimi nuk ishte dhënë ende.
Sipas vendimit, pas përfundimit të aktgjykimit, Bajrushi është i obliguar të njoftojë Komisionin për Ankesa për zhvillimet e mëtejshme lidhur me çështjen e tij.
Vendimi i Komisionit vjen pas një shqyrtimi të hollësishëm të ankesës së Bajrushit, i cili në fillim ishte shpallur përgjegjës për disa shkelje të dispozitave të Ligjit për Policinë dhe Udhëzimit Administrativ për procedurat disiplinore, dhe për këtë arsye ishte dënuar me ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
Pezullimi i masës disiplinore
Komisioni për Ankesa ka vendosur të pezullojë procedurën disiplinore ndaj Polic Nexhdet Bajrushi, pas shqyrtimit të ankesës së tij kundër vendimit të Komisionit Disiplinor nr. 317/KD/24, datë 03.10.2024.
Ankuesi, përmes avokates së tij, Aurora Mulhaxha ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të Komisionit Disiplinor dhe shqipton një masë disiplinore më të lehtë, duke argumentuar se procedura penale ndaj tij është ende në fazën e hetimeve, dhe deri në përfundimin e procesit ai konsiderohet i pafajshëm.
“Paneli i Komisionit për Ankesa, duke u bazuar në provat materiale të paraqitura në ankesë, përfshirë raportet e intervistave të punonjësve dhe dëshmitarëve, si dhe kallëzimin penal, ka arritur në përfundimin se lidhshmëria e çështjes disiplinore me procedurën penale kërkon që të pritet vendimi i Prokurorisë ose i Gjykatës kompetente për të vazhduar me trajtimin e çështjes disiplinore“, thuhet në vendim.
Komisioni theksoi se, në përputhje me Udhëzimin Administrativ nr. 04/2019, është vendosur pezullimi i procedurës disiplinore deri në përfundimin e çështjes penale. Pasi të zhduken rrethanat që çuan në pezullimin e procedurës, Komisioni do të rifillojë shqyrtimin e lëndës disiplinore nr. 0372-PK-2024.