×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Kthimi mbrapsht i logjikës së dialogut të Brukselit

    Insajderi
    12 December 2022 - 10:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan: Blerim Shala

    Sa më shumë po kalon koha, po konfirmohet më shumë se Beogradi zyrtar me një Plan të detalizuar të vetin, ka shfrytëzuar dhe ka organizuar zhvillimet e njohura në Veri të javëve të fundit, me qëllim të kthimit në Pikën Zero të gjendjes në këtë pjesë të Kosovës, dhe për ta bërë Veriun e Kosovës temë të veçantë diskutimi në dialogun e Brukselit, edhe në kuadër të Nismës franko-gjermane (apo evropiane, si po thuhet tani).

    Në këtë mënyrë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ka dëmtuar sipas të gjitha gjasave, pariparueshëm logjikën e derivonshme të dialogut të Brukselit, të nisur në muajin mars të vitit 2011.

    Logjika e këtij dialogu ka qenë kjo: Gjendja në Veriun e Kosovës, duhet të normalizohet, me shtrirjen e ngadalshme të institucioneve të Kosovës andejpari, me shpërbërjen e strukturave serbe të sigurisë, me integrimin e qytetarëve serbë të kësaj pjese të Kosovës në pushtetin lokal dhe qendror të Kosovës, përmes pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale dhe parlamentare të lokale të organizuara nga Kosova.

    Ky proces është karakterizuar me njëqind telashe, të cilat janë të ditura për të gjithë ne.

    Megjithatë, janë shënuar arritje të cilat kanë qenë të thuash të paimagjinueshme para dialogut të Brukselit.

    Normalizimi i situatës në Veri, atje në vitet e para të ndërmarrjes ndërkombëtare që synonte bërjen e një Marrëveshje Gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, shihej si hapi i parë, por më i madhi i mundshëm, drejt normalizimit të raporteve të Kosovës dhe Serbisë.

    Ishin këto dy zhvillimeve thellësisht të ndërlidhura.

    Tek e fundit, dihej që në pjesët e tjera të Kosovës kishte ndodhur (tashmë), integrimi i komunitetit serb në të gjitha institucionet e Kosovës, në jetën politike dhe shoqërore të shtetit të Kosovës, prandaj, kishte mbetur të përmbyllet edhe ky kapitull i përfshirjes së qytetarëve serbë në të gjitha nivelet e pushtetit.

    Me të drejtë supozohej që nëse do të përmbushej edhe ky synim, (vendor dhe ndërkombëtar), atëherë finalja e dialogut të Brukselit do të ishte më e lehtë, apo, disi natyrshëm do të mbërrihej tek Marrëveshja e Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

    Megjithatë, është e qartë që ky ‘Udhërrëfyes’ i dialogut të Brukselit, është shpallur ‘i pavlefshëm’ (dhe i tejkaluar), nga ana e Presidentit të Serbisë, me synim të qartë të tij për ta konfirmuar Veriun si burim të sprovave të vazhdueshme të sigurisë në Kosovë, dhe për ta imponuar Veriun si një temë specifike dhe të veçantë në dialogun final të Brukselit.

    Por, me këtë qasje të veten Presidenti i Serbisë, realisht, dashtë e pa dashtë, ia ka dhënë hisen apo kontributin e tij forcimit të bindjes së Administratës Amerikane të Presidentit Biden dhe Bashkimit Evropian, që Marrëveshja Themelore (terminologji kjo e re kur bëhet fjalë për Marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë), duhet të arrihet sa më parë që është e mundur, apo, më së voni gjatë vitit të ardhshëm (2023).

    Dihet që ky qëndrim i Washingtonit dhe Brukselit është edhe reflektim i ngjarjeve të njohura në Ukrainë, të shkaktuara me invazionin e Rusisë mbi një shtet sovran.

    Ky segmenti i sprovave të sigurisë në Veriun e Kosovës, nuk ka dilemë që është pjesë përbërëse e Agjendës politike të Presidentit të Serbisë.

    Kjo, realisht, nuk është rezultat i temës së njohurës të targave, dhe as asaj tjetrës të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë sebe. Këto tema i kanë shërbyer vetëm si pretekst Aleksandar Vučić-it për ta shtyrë para Agjendën e tij e cila ka këtë aspektin territorial prioritet absolut gjatë adresimit të çështjes së arritjes së Marrëveshjes Themelore në mes të Kosovës dhe Serbisë. Për këtë shkak zatën, ai insistoi në largimin e të gjithë politikanëve, zyrtarëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të Veriut, nga institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës. Ky largim kishte të bëjë me Agjendën e tij, e jo me veprimet e Qeverisë së Kosovës.

    Në këtë mënyrë, duket që ajo logjika e mëparme e dialogut, sipas të së cilës normalizimi i gjendjes në Veriun e Kosovës ishte parakusht për bërjen e Marrëveshjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë, është kthyer krejtësisht mbrapsht. Tash duket që arritja e Marrëveshjes Themelore në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, është parakusht për normalizimin e gjendjes në Veriun e Kosovës.

    Shkrimi fillimisht është publikuar në Klan Kosova

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark