Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka raportuar para deputetëve të Komisionit për Integrime Evropiane ku ka thënë se është ndërtuar infrastrukturë ligjore, kryesisht në fushën penale.
Ai duke folur për mandatin e EULEX-it në Kosovë ka thënë se vazhdimi i këtij misioni ka ardhur pas shumë negociatave.
“Kemi bërë tri negociata, janë zhvilluar edhe me përfaqësues të EULEX-it, Ambasadës Amerikane e OSBE-në ku kanë qenë të përfshira institucionet më të larta. Pas negociatave kemi ardhur në përfundim që mandati i EULEX-it duhet të vazhdohet edhe për dy vjet”, ka thënë Kuçi.
Sipas tij, mandati i ri i këtij misioni në Kosovë ka kompetenca të tjera, njofton Klan Kosova.
“Mandati i ri ka kompetenca të tjera, rastet në zhvillim do të mbesin në kompetencë të EULEX-it ndërsa rastet e reja do t’i marrin në koordinim me Këshillin Gjyqësor e Këshillin Prokurorial, prokurorin e shtetit”, ka shtuar ai.
Kuçi gjithashtu ka thënë se sa i përket kornizës ligjore për luftën kundër korrupsionit është nxjerrë ligji për mbrojtje të informatorëve.